Negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë arritur një marrëveshje për një memorandum mirëkuptimi 60-ditor, me qëllim zgjatjen e armëpushimit dhe nisjen e negociatave për programin bërthamor të Iranit, por Presidenti Trump ende nuk ka dhënë miratimin përfundimtar, thanë për Axios dy zyrtarë amerikanë.
Nënshkrimi i memorandumit do të përbënte përparimin diplomatik më të rëndësishëm që nga nisja e luftës, megjithatë një marrëveshje përfundimtare që adreson kërkesat e Trump për programin bërthamor do të kërkonte ende negociata intensive.
Zyrtarët amerikanë thanë se kushtet e marrëveshjes ishin kryesisht dakordësuar që të martën, por të dyja palët kishin ende nevojë për miratimin e drejtuesve më të lartë, shkruan Axios.
Sipas zyrtarëve amerikanë, pala iraniane u rikthye më pas duke deklaruar se kishte marrë miratimet e nevojshme dhe ishte gati të nënshkruante por Irani nuk e ka konfirmuar këtë.
Negociatorët amerikanë e informuan Trump mbi detajet e marrëveshjes finale dhe ai kërkoi disa ditë kohë për ta shqyrtuar.
“Presidenti u komunikoi ndërmjetësve se dëshiron disa ditë për ta menduar,” tha një zyrtar amerikan.
Zyrtarët amerikanë thanë se memorandumi 60-ditor do të përcaktojë se lundrimi përmes Ngushticës së Hormuzit do të jetë “i pakufizuar”. Një zyrtar amerikan sqaroi se kjo nënkupton pa tarifa dhe pa pengesa, ndërsa Irani do të duhet të heqë të gjitha minat nga ngushtica brenda 30 ditëve.
Bllokada detare amerikane gjithashtu do të hiqet, por kjo do të ndodhë në përpjesëtim me rikthimin e transportit tregtar detar, tha një zyrtar amerikan.
Memorandumi do të përfshijë edhe angazhimin e Iranit për të mos ndjekur zhvillimin e armëve bërthamore, thanë zyrtarët. Gjithashtu, ai do të përcaktojë se çështjet e para që do të negociohen gjatë periudhës 60-ditore do të jenë mënyra e trajtimit të uraniumit të pasuruar në nivele të larta dhe menaxhimi i procesit të pasurimit bërthamor të Iranit.
Nga ana e saj, SHBA do të angazhohet të diskutojë lehtësimin e sanksioneve dhe lirimin e fondeve iraniane të ngrira si pjesë e negociatave. Memorandumi do të përfshijë gjithashtu diskutime mbi një mekanizëm që do ta ndihmojë Iranin të nisë të marrë mallra dhe ndihmë humanitare.
Trump dhe këshilltarët e tij kanë menduar disa herë gjatë fazave të mëparshme të luftës se ishin pranë një marrëveshjeje, por asnjëra nuk u realizua.
© SYRI.net