Një sulm i dhunshëm dhe i shpejtë. Tre të rinj kapërcejnë rrethimin, hedhin benzinë mbi makinat, i vënë flakën dhe largohen me vrap. Njëzet makina u përfshinë nga flakët brenda pak minutash, prej të cilave dhjetë u shkatërruan plotësisht.
Ngjarja ndodhi gjatë natës në depozitin Sicily by Car në Carini (Palermo), të kompanisë së qirasë së makinave të sipërmarrësit palermitan Tommaso Dragotto, e inauguruar vetëm 20 ditë më parë.
Bëhet fjalë për episodin e radhës të dhunës që ka goditur qytetin e Palermos dhe që prej disa muajsh është rikthyer të terrorizojë sipërmarrësit, tregtarët dhe qytetarët. Ky është gjithashtu episodi i dytë intimidues ndaj Sicily by Car, e cila natën e 20–21 marsit ishte sulmuar nga një komando që qëlloi 30 herë me kallashnikov ndaj depos së makinave në lagjen San Lorenzo, duke goditur katër makina.
“Pamë pamjet e kamerave të sigurisë. Janë tre të rinj që kapërcejnë rrethimin, hedhin benzinë mbi makinat dhe largohen. Për tre minuta i vunë flakën makinave. Nuk më ka ardhur asnjë kërkesë dhe nëse do të vijë, nuk do të marrin asgjë. Unë nuk dorëzohem”, ka komentuar sipërmarrësi Dragotto.
Përshkallëzim i dhunës
Qyteti i Palermos duket se është kthyer në vitet ’80, kur ishte quajtur “Bejrut”, për shkak të vrasjeve të shumta mafioze që përgjaknin rrugët e kryeqytetit sicilian. Janë goditur aktivitetet tregtare, por ka edhe shumë raste dhune dhe të shtënash.
Natën mes 23 dhe 24 nëntorit, disa shishe plastike të mbushura me benzinë dhe me një shënim “5 mijë euro” u lanë para hyrjes së disa bizneseve në Sferracavallo, një zonë bregdetare e qytetit. Pas disa muajsh qetësie, episodet e dhunës u rikthyen. Mes 27 dhe 28 marsit, një makinë e vjedhur u dogj brenda një lavazhi Q8 në lagjen Tommaso Natale. Mes 8 dhe 9 prillit, 30 të shtëna kallashnikovi u drejtuan ndaj një autori në Sferracavallo, dhe disa javë më vonë, po në të njëjtën zonë bregdetare, në orën 2:30 të natës mes 24 dhe 25 prillit, banda e “Ak-45” qëlloi sërish 30 herë ndaj restorantit “Al Brigantino”.
Ditën pasuese, objektiv i sulmit ishte një berber, të cilit iu la si mesazh koka e një manekini, pasi persona të panjohur hynë në sallonin e tij duke thyer grilat dhe duke vjedhur disa sende. Natën e 10 majit, në zonën Zen, u qëlluan 5 plumba ndaj vitrinës së furrës Armanio’s Bakery dhe 4 plumba ndaj grilave të një kasapi. Disa ditë më vonë, më 13–14 maj, u gjetën sërish shishe plastike me benzinë dhe shënimi “5 mijë euro”, këtë herë para disa plazheve në Isola delle Femmine.
Grupe të pavarura apo regji e organizuar?
Për këto ngjarje po heton prej muajsh Drejtoria Rajonale Antimafia e Palermos, e drejtuar nga prokurori kryesor Maurizio de Lucia dhe zv/prokurori Vito Di Giorgio. Sipërmarrësit e prekur nga sulmet kanë deklaruar se nuk kanë marrë më parë kërkesa për zhvatje apo kërcënime.
Megjithatë, mënyra e veprimit duket e pazakontë për hetuesit. Zakonisht “pizzo” (zhvatja) kërkohet pas një “vizite” nga klani, dhe në rast refuzimi vjen dhuna. Këtu, përkundrazi, autorët nuk janë paraqitur personalisht, por kanë lënë shishet me benzinë dhe shënimin “5 mijë euro”, e më pas kanë filluar të qëllojnë. Për më tepër, përdorimi i kallashnikovit mbetet tregues i aksesit në armë të rënda.
Pyetja që ngrihet është: kush qëndron pas këtyre sulmeve? Grupe të rinjsh që veprojnë në stil “Gomorra”, ndoshta edhe nën efektin e drogës, që synojnë të tregojnë forcë në tregun e drogës dhe zhvatjes? Apo një regji më e organizuar, me bosë që nxisin kaosin për të krijuar destabilizim dhe më pas për të rivendosur kontrollin?
Dihet se në Palermo kanë rifituar liri disa figura të rëndësishme të Cosa Nostra-s, ndërsa të tjerë kanë marrë leje të veçanta apo masa të lirisë së mbikëqyrur.
Mbrëmja e dhunshme
Në sfond mbetet edhe problemi i rendit publik. Përveç drogës, janë shtuar incidentet e dhunës mes të rinjve dhe jetës së natës në Palermo.
Të dielën e kaluar, një 22-vjeçare u shtrua me urgjencë në spitalin Villa Sofia pasi u godit nga një plumb endacak gjatë një përleshjeje. Në tetor, Paolo Taormina (21 vjeç) u vra me një plumb në kokë pas një konflikti. Më 15 shtator, Stefano Gaglio (39 vjeç) u qëllua për vdekje nga kunati i tij përpara një farmacie.
Nuk harrohet as masakra e Monreales, mes 26 dhe 27 prillit, ku tre të rinj humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën nga të shtënat me armë.
Në dhjetor 2023, përplasjet në jetën e natës u përshkallëzuan: një i ri qëlloi në ajër, dhe më pas një 17-vjeçar vrau Lino Celesia (22 vjeç) brenda një klubi nate.
Prefektura e Palermos, pas disa mbledhjesh për sigurinë dhe ndërhyrjes së ministrit të brendshëm Matteo Piantedosi, ka vendosur “zona të kuqe” në qendër të qytetit me kontrolle më të forta policore. Por deri tani, kjo duket se nuk mjafton.
© SYRI.net