Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Irani është “shumë më afër” arritjes së një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara për çështjen e luftës dhe programit bërthamor, ndërsa Teherani ka sinjalizuar gjithashtu se gjatë javës së fundit është shënuar progres në bisedime.
Megjithatë, të dyja palët kanë mbajtur një qëndrim të kujdesshëm. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, tha se çështja e armëve bërthamore nuk do të përfshihet në fazën fillestare të negociatave, duke theksuar se ende ka mosmarrëveshje për çështjet kryesore.
Trump, në një intervistë për CBS News, tha se kishte parë një draft-marrëveshje, por nuk dha detaje të mëtejshme, duke shtuar se SHBA do të nënshkruajë vetëm një marrëveshje që plotëson të gjitha kërkesat e saj dhe që garanton se Irani nuk do të sigurojë armë bërthamore.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm amerikan Marco Rubio u shpreh me optimizëm të kujdesshëm gjatë një vizite në Indi, duke lënë të hapur mundësinë për një përditësim të negociatave në ditët në vijim. Ai theksoi gjithashtu se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore dhe foli për nevojën e hapjes së plotë të korridorit strategjik të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, palët po punojnë për një memorandum mirëkuptimi që mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje përfundimtare brenda 30 deri në 60 ditëve, ndërsa situata mbetet ende e paqëndrueshme mes negociatave diplomatike dhe tensioneve në terren./ Burimi: BBC/ Përktheu: Syri.net
© SYRI.net