SHBA/ Tre të vdekur dhe 18 ndihmës mjekësorë në karantinë pas ekspozimit ndaj një substance të panjohur

SHBA/ Tre të vdekur dhe 18 ndihmës mjekësorë në karantinë pas ekspozimit ndaj një substance të panjohur

10:15, 22/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi tre persona kanë humbur jetën dhe 18 pjesëtarë të ekipeve të emergjencës janë vendosur në karantinë pas ekspozimit ndaj një substance ende të paidentifikuar në shtetin e New Mexico-s.

Incidenti ndodhi të mërkurën, rreth orës 11:00 lokale, në një banesë në Mountainair, pas një alarmi për një mbidozë të mundshme. Sipas Policia Shtetërore e New Mexicos, thirrja fillestare raportonte praninë e një substance të panjohur në vendngjarje.

Kur mbërritën në shtëpi, ekipet e shpëtimit gjetën katër persona pa ndjenja. Tre prej tyre u shpallën të vdekur në vend, ndërsa personi i katërt u transportua me urgjencë në një spital në zonën e Albuquerque. Identitetet e viktimave ende nuk janë bërë publike.

Gjatë ndërhyrjes, 18 punonjës të emergjencës që ranë në kontakt me substancën e panjohur filluan të shfaqin simptoma si të përziera dhe marramendje. Të gjithë u dërguan në spitalin e Universitetit të New Mexico-s, ku po mbahen në karantinë për observim dhe trajtim.

Image

Sipas autoriteteve, dy prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët janë nën monitorim të vazhdueshëm.

Ekipet speciale për trajtimin e materialeve të rrezikshme nga zjarrfikësit e Albuquerque kanë nisur hetimet në vendngjarje për të identifikuar substancën. Dyshimet e para sugjerojnë se mund të bëhet fjalë për një përbërje të rrezikshme që transmetohet përmes kontaktit, ndërsa është përjashtuar për momentin mundësia e përhapjes përmes ajrit.

Autoritetet amerikane po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka alarmuar shërbimet e emergjencës në zonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco