Rubio thotë se Shtëpia e Bardhë është shumë e përqendruar në rrëzimin e qeverisë socialiste të Kubës për të adresuar ato që ai i quan rreziqe për sigurinë kombëtare. Ai theksoi gjithashtu se Havana nuk do të jetë në gjendje të presë më gjatë se administrata Trump, duke i nxitur ata të arrijnë një marrëveshje para se të jetë tepër vonë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, të enjten ngritën përsëri çështjen e ndërhyrjes ushtarake amerikane në Kubë, një kërcënim i ripërtërirë që merr peshë më të madhe një ditë pasi administrata njoftoi akuza penale kundër ish-liderit të ishullit, Raul Castro.
Trump tha se presidentët e mëparshëm të SHBA-së e kanë konsideruar ndërhyrjen në Kubë për dekada, por “duket se unë do të jem ai që do ta bëjë këtë”.
“Presidentë të tjerë e kanë parë këtë për 50, 60 vjet, duke bërë diçka”, u tha Trump gazetarëve kur u pyet për Kubën në Zyrën Ovale. “Dhe, duket se unë do të jem ai që do ta bëjë këtë. Kështu që, do të isha i lumtur ta bëja.”
Diplomati më i lartë amerikan, Marco Rubio, i cili vetë është me prejardhje kubaneze, u tha gazetarëve veçmas se Havana ka qenë një kërcënim për sigurinë kombëtare për vite me radhë për shkak të lidhjeve të saj me kundërshtarët e SHBA-së dhe se Trump është i vendosur ta adresojë këtë çështje.
Rubio, djali i emigrantëve kubanë, i cili prej kohësh ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër udhëheqjes socialiste të Kubës, tha se administrata Trump dëshiron të zgjidhë mosmarrëveshjet me Kubën në mënyrë paqësore, por dyshon se SHBA-të mund të arrijnë një zgjidhje diplomatike me qeverinë aktuale të ishullit.
“Preferenca e Trump është gjithmonë një marrëveshje e negociuar që është paqësore. Kjo është gjithmonë preferenca jonë. Kjo mbetet preferenca jonë me Kubën”, tha Rubio në Miami përpara se të hipte në një aeroplan për të marrë pjesë në një takim të NATO-s në Suedi dhe më pas për të vizituar Indinë.
“Po jem i sinqertë me ju, e dini, gjasat që kjo të ndodhë, duke pasur parasysh se me kë kemi të bëjmë tani, nuk janë të larta”, tha ai.
Ndihmësit kryesorë të Trumpit – përfshirë Rubion, shefin e CIA-s, John Ratcliffe dhe zyrtarë të tjerë të lartë të sigurisë kombëtare – janë takuar me zyrtarë kubanë në muajt e fundit për të shqyrtuar përmirësimet e mundshme në marrëdhënie.
Por pala amerikane nuk ka mbetur e impresionuar nga ato bisedime, duke çuar në vendosjen edhe më të madhe të sanksioneve ndaj qeverisë kubane javën e kaluar.
Me kalimin e viteve, Kuba është mësuar të “blejë kohë dhe të na presë të mbarojmë”, tha Rubio. “Ata nuk do të jenë në gjendje të na presin ose të blejnë kohë. Ne jemi shumë seriozë, jemi shumë të përqendruar.”
Kur u pyet nëse Uashingtoni do të përdorte forcën në Havana për të ndryshuar sistemin politik të ishullit, Rubio përsëriti se një zgjidhje diplomatike ishte e preferueshme, por vuri në dukje se “presidenti gjithmonë ka mundësinë të bëjë çfarëdo që duhet për të mbështetur dhe mbrojtur interesin kombëtar”.
Ai kundërshtoi sugjerimin e një gazetari se kjo tingëllonte si “ndërtim kombi”, duke këmbëngulur se bëhej fjalë për adresimin e një rreziku për sigurinë kombëtare.
Prokurorët federalë zbuluan të mërkurën një aktakuzë që akuzon Castron për urdhërimin e rrëzimit të aeroplanëve civilë të fluturuar nga të mërguarit me bazë në Miami në vitin 1996. Akuzat, të cilat u ngritën fshehurazi nga një juri e madhe në prill, përfshinin vrasjen dhe shkatërrimin e një aeroplani.
Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel e dënoi aktakuzën si një manovër politike që synonte vetëm të “justifikonte marrëzinë e një agresioni ushtarak kundër Kubës”.
Aktakuza ndaj Castros i ka bërë shumë njerëz të besojnë se administrata Trump po ndjek të njëjtën strategji që ndoqi kur kapi presidentin e atëhershëm të Venezuelës, Nicolás Maduro, në një operacion ushtarak në fillim të janarit.
Maduro, i cili është burgosur në SHBA që nga kapja e tij, përballet me akuza federale për trafik droge dhe është deklaruar i pafajshëm.
Rubio nuk deshi të diskutonte se si SHBA-të mund të lëvizin për të zbatuar aktakuzën kundër Kastros, i cili mbush 95 vjeç muajin tjetër.
Trump ka kërcënuar me veprime ushtarake në Kubë që nga rrëzimi i Maduros dhe më pas urdhërimi i një bllokade energjitike që pengoi dërgesat e karburantit në Kubë. Kjo ka çuar në ndërprerje të rënda të energjisë, mungesa ushqimore dhe një kolaps ekonomik në të gjithë ishullin.
Administrata Trump këtë muaj gjithashtu ka vendosur sanksione të reja ndaj Kubës, më i madhi prej të cilave është kundër Grupo de Administración Empresarial SA, një konglomerat biznesi i operuar nga Forcat e Armatosura Revolucionare Kubane.
© SYRI.net