Nga Alba Kepi
Një nga skandalet më të rënda mjedisore të viteve të fundit ka shpërthyer në Itali dhe Europë, pas mega-operacionit të sotëm i koduar “Carbone delle Alpi”, e drejtuar nga Prokuroria Antimafia e Trentos.
Sipas hetimeve, një rrjet kriminal ndërkombëtar dyshohet se ka transformuar mbetje industriale shumë toksike në produkte të shitura si ekologjike dhe “green”, duke i futur në treg në Itali, Austri, Gjermani, Kroaci, Serbi dhe Zvicër.
Në qendër të skandalit janë hiri industrial dhe mbetje të rrezikshme të ngarkuara me dioksina dhe hidrokarbure aromatike policiklike (IPA), substanca të njohura për rrezikun serioz ndaj shëndetit dhe mjedisit.
Sipas akuzës, këto mbetje nuk janë asgjësuar, por janë kthyer në briketa për barbecue, plehra për tokat bujqësore, materiale për beton dhe produkte të tregtuara si “biochar” ekologjik.
Autoritetet italiane flasin për një “filierë të zezë” që gjeneronte fitime marramendëse duke shmangur kostot e trajtimit të ligjshëm të mbetjeve toksike.
12 arrestime e 19 të hetuar
Karabinierët italianë, me mbështetjen e Europol, Eurojust dhe OLAF, kanë arrestuar 12 persona dhe kanë vënë nën hetim 19 individë dhe 3 kompani.
Një impiant i madh kogjenerimi në Alto Adige është sekuestruar nga autoritetet. Por ajo që e bën edhe më të rëndë këtë dosje është përfshirja e dyshuar e funksionarëve publikë.
Sipas Prokurorisë, disa drejtues dhe funksionarë të Agjencisë Provinciale për Mjedisin në Bolzano (APPA), që duhej të kontrollonin ligjshmërinë e impianteve, dyshohet se kanë ndihmuar rrjetin kriminal. Hetuesit flasin për mbulim institucional, interpretime ligjore “me porosi”, vonesa të qëllimshme të sanksioneve dhe tentativa për të penguar kontrollet. Madje, sipas dosjes hetimore, pa ndihmën e tyre “sistemi nuk do të kishte mbijetuar”.
Analizat laboratorike kanë zbuluar nivele alarmante ndotësish dhe dioksinash në produktet e sekuestruara.
Hetimet kanë dokumentuar transportin e hirit toksik drejt Kroacisë dhe Serbisë për prodhimin e briketave, ndërsa në Gjermani dhe Austri materialet përdoroheshin edhe në bujqësi dhe industri.
Sipas autoriteteve, rrjeti kriminal kishte ndërtuar një sistem të sofistikuar kompanish europiane për të fshehur origjinën reale të mbetjeve dhe për t’i shitur si produkte ekologjike.
Dosja përmend edhe kontakte me eksponentë politikë dhe presione ndaj teknikëve dhe inspektorëve për të mos raportuar natyrën e vërtetë të materialeve. Prokuroria italiane paralajmëron se bëhet fjalë për një skemë që jo vetëm ka dëmtuar mjedisin dhe shëndetin publik, por ka deformuar edhe tregun europian përmes certifikatave të rreme të “qëndrueshmërisë ekologjike”. Hetimet e kisura më 2022 vazhdojnë.
© SYRI.net