'Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës në nivelet më të larta!' Putin premton vijimin e furnizimit me energji e naftë

'Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës në nivelet më të larta!' Putin premton vijimin e furnizimit me energji e naftë

09:38, 20/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës janë në një nivel të lartë të panjohur më parë, i tha presidenti rus Vladimir Putin homologut të tij kinez Xi Jinping gjatë takimit në Pekin të mërkurën (20 maj), ndërsa e ftoi atë të vizitojë Rusinë vitin e ardhshëm.

Presidenti rus Vladimir Putin i konfirmoi presidentit kinez se Rusia është e gatshme të vazhdojë furnizimin me energji për Kinën, duke theksuar se tregtia mes dy vendeve është e mbrojtur nga ndikimet e jashtme dhe nga tendencat negative në tregjet globale.

Gjatë bisedimeve dypalëshe në Pekin Putin shtoi gjithashtu se Rusia është e gatshme të vijojë pa ndërprerje furnizimet me naftë dhe gaz drejt Kinës, shkruan BBC.

“Në sfondin e krizës në Lindjen e Mesme, Rusia vazhdon të mbajë rolin e furnizuesit të besueshëm të burimeve, ndërsa Kina atë të konsumatorit të përgjegjshëm të tyre”, deklaroi Putin, citon La Republica.

Nga ana tjetër, Xi Jinping deklaroi se Kina dhe Rusia do të rrisin bashkëpunimin në inteligjencën artificiale dhe inovacionin teknologjik.

Sipas Xi, të dy vendet duhet të luajnë me vendosmëri rolin e “fuqive të mëdha të përgjegjshme”, për të mbrojtur drejtësinë ndërkombëtare dhe për t’iu kundërvënë “çdo forme presioni apo intimidimi të njëanshëm”.

 “Falë besnikërisë së palëkundur dhe guximit të treguar në kohë të vështira, Kina dhe Rusia kanë arritur të ndërtojnë një nivel kaq të lartë marrëdhëniesh,” U shpreh presidenti kinez Xi Jinping, i cituar nga agjencia e lajmeve ruse Tass, gjatë fjalës hapëse të dialogut dypalësh mes Rusisë dhe Kinës në Pekin.

Dy liderët firmosën më shumë se 20 marrëveshje në tregti dhe teknologji si edhe një deklaratë mbi një “rend botëror shumëpolar”.

Lexo dhe: ‘21 marrëveshje’, çfarë dokumentesh do të nënshkruajnë Putin dhe Xi?

Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar për Rusinë, e cila tani dëshiron, ndër të tjera, të diskutojë edhe për ndërtimin e gazsjellësit të ri "Sila Sibirii 2” ("Fuqia e Siberisë 2”), me të cilin synon të zgjerojë ndjeshëm furnizimet tashmë të mëdha me gaz drejt Kinës.

BBC shkruan se në krye të axhendës është edhe një projekt për një gazsjellës të ri, i cili mund të furnizojë Kinën me deri në 50 miliardë metra kub gaz natyror.

Kina është gjithashtu një nga blerësit më të rëndësishëm të naftës ruse. Sipas këshilltarit të Vladimir Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, furnizimet në tremujorin e parë janë rritur me 35 për qind, duke arritur në 31 milionë tonë.

Për Kinën furnizimi me energji po merr një rëndësi edhe më të madhe në kontekstin e luftës në Iran. Zgjerimi i furnizimeve nga Rusia përmes rrugëve tokësore do t'i jepte Kinës avantazhin e reduktimit të varësisë nga rrugët detare, të cilat janë më të ndjeshme ndaj krizave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco