Dy adoleshentë sulmuan me armë drejt xhamisë së San Diegos më pas u vetëvranë! Tre të vdekur - VIDEO

Dy adoleshentë sulmuan me armë drejt xhamisë së San Diegos më pas u vetëvranë! Tre të vdekur - VIDEO

09:47, 19/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dy adoleshentë sulmuan me armë një xhami në San Diego, duke vrarë tre persona para se të vetëvriteshin, thanë autoritetet amerikane. Policia po e heton ngjarjen si një krim të mundshëm urrejtjeje.

Sulmi ndodhi të hënën në mëngjes në qendrwn Islamike të San Diegos. Rreth dy orë më parë, nëna e njërit prej të dyshuarve kishte njoftuar policinë se djali i saj ishte larguar nga shtëpia me një mik dhe mund të kryente vetëvrasje.

Kur policia mbërriti në xhami, gjeti tre viktima me plagë nga armët e zjarrit jashtë ndërtesës. Pak më vonë, autoritetet morën një tjetër telefonatë për të shtëna pranë zonës dhe gjetën dy të dyshuarit, 17 dhe 18 vjeç, të vdekur brenda një automjeti nga plagë të vetëshkaktuara.

Mes viktimave ishte edhe roja e sigurisë së qendrës islame, për të cilin policia tha se luajti një rol vendimtar për të parandaluar një masakër edhe më të madhe. Shefi i policisë së San Diegos, Scott Wahl, deklaroi se “veprimet e tij ishin heroike” dhe se ai “pa dyshim shpëtoi jetë”.

Autoritetet nuk kanë publikuar ende identitetet e plota të tre viktimave. Sipas mediave amerikane, roja i sigurisë ishte baba i tetë fëmijëve.

Hetuesit thanë se ende nuk dihet motivi i sulmit, por ngjarja po trajtohet si një krim i mundshëm urrejtjeje për shkak se objektiv ishte xhamia më e madhe në qarkun e San Diegos, si edhe për shkak të shkrimeve të gjetura që dyshohet se i përkisnin njërit prej autorëve.

Policia u njoftua për të shtënat në xhami rreth orës 11:43 me orën lokale. Shefi i Policisë së San Diegos, Scott Wahl, deklaroi se efektivët gjetën tre viktima të pajeta jashtë ndërtesës.

“Nuk pati asnjë oficer policie që qëlloi me armë,” tha Wahl, duke shtuar se në momentin e mbërritjes nuk kishte më shenja të autorëve të sulmit.

Rreth dy orë para ngjarjes, nëna e njërit prej të dyshuarve kishte telefonuar policinë për të raportuar se djali i saj ishte larguar nga shtëpia me disa armë të saja dhe me makinën e familjes.

Sipas saj, ai ishte larguar me një shok dhe të dy ishin të veshur me rroba kamuflazhi.

Wahl tha se sjellja e të riut “nuk përputhej” me atë të një personi që konsiderohet vetëvrasës.

Një letër e lënë pas nga adoleshenti përmbante gjithashtu “retorikë urrejtjeje dhe gjuhë urrejtjeje të përgjithshme”, tha shefi i policisë.

Megjithatë, ai shtoi se në shënim nuk kishte asnjë kërcënim specifik ndaj xhamisë apo ndonjë personi ose vendi tjetër.

Hetuesit kontrolluan më pas një shkollë të mesme lokale, ku studionte njëri prej adoleshentëve, si dhe një qendër tregtare ku ishte gjurmuar automjeti i përdorur prej tyre.

Kur ndodhi sulmi me armë, oficerët e policisë ishin ende duke folur me nënën e njërit prej autorëve dhe ndodheshin vetëm pak blloqe larg xhamisë.

Pasi gjetën tre viktimat jashtë ndërtesës, policët hynë menjëherë brenda dhe nisën procedurat për neutralizimin e një sulmuesi aktiv.

Teksa kontrollonin ambientet e qendrës, policia mori raportime për një tjetër sulm me armë në afërsi.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit kishin qëlluar nga makina drejt një punonjësi të mirëmbajtjes së gjelbërimit, i cili fatmirësisht mbeti i padëmtuar.

Shefi i policisë Scott Wahl tha se ekziston mundësia që një plumb të ketë prekur dhe devijuar nga helmeta mbrojtëse e punëtorit, megjithëse kjo ende nuk është konfirmuar.

Kur policia mbërriti në vendin e dytë të ngjarjes, disa blloqe larg xhamisë, gjeti trupat e pajetë të dy autorëve të dyshuar.

Në momentin e sulmit, në qendrën islame ndodheshin edhe fëmijë në mësim. Kompleksi përfshin edhe shkollën Al Rashid, ku zhvillohen kurse fetare dhe gjuhësore.

Pamjet ajrore nga vendngjarja treguan fëmijë që mbanin duart me njëri-tjetrin ndërsa evakuoheshin nga parkingu i qendrës nën shoqërimin e policisë.

Edhe shkollat pranë zonës u futën në izolim sigurie.

FBI-ja u bëri thirrje qytetarëve të japin çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet.

Një dëshmitar i tha CBS se kishte dëgjuar deri në 30 të shtëna nga ajo që dukej si “një armë gjysmë automatike”.

Ai tregoi se fillimisht dëgjoi rreth 12 të shtëna, më pas një pauzë dhe më pas edhe një seri tjetër të shtënash.

Një pensionist që po drekonte në shtëpi, tha se telefonoi menjëherë numrin e emergjencës 911 dhe se policia mbërriti brenda “pesë deri në dhjetë minutash”.

Imami Taha Hassane, drejtori i Qendrës Islamike të San Diegos, deklaroi në një konferencë për shtyp: “Është jashtëzakonisht tronditëse të sulmohet një vend adhurimi.”

“Kjo është një shtëpi lutjeje, jo një fushë beteje,” shtoi ai.

Komuniteti mysliman ndodhet aktualisht në përgatitje për një nga periudhat më të shenjta dhe festat më të rëndësishme fetare.

Ngjarja ndodhi vetëm pak ditë para Kurban Bajramit, festa që përkujton bindjen e Profetit Ibrahim.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, deklaroi se ishte “i tmerruar nga sulmi i dhunshëm” në qendrën islame, “ku familjet dhe fëmijët mblidhen dhe besimtarët luten në paqe”.

Kalifornia “nuk do të tolerojë akte terrori apo frikësimi ndaj komuniteteve fetare”, shtoi ai.

I pyetur për ngjarjen, Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi sulmin si “një situatë të tmerrshme”.

“Më kanë informuar paraprakisht, por do ta shqyrtojmë këtë çështje shumë seriozisht,” deklaroi Trump gjatë një aktiviteti tjetër në Shtëpinë e Bardhë. /BBC/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco