Një tigër i arratisur, që besohet se i përkiste “Mbretëreshës së Tigrave” në Gjermani, është vrarë nga policia pasi sulmoi një nga kujdestarët e tij.
Policia i tha BBC-së se një burrë 72-vjeçar mbeti i plagosur rëndë pasi u sulmua të dielën, ndërsa ndodhej brenda kafazit të kafshës në një strukturë private në periferi të qytetit gjerman Leipzig.
Tigri arriti të dilte nga kafazi, por u lokalizua pak më vonë nga policia e armatosur, e cila e qëlloi për vdekje.
Vendi ku mbahej kafsha besohet se është në pronësi të trajneres kontroverse dhe pronare private Carmen Zander, e cila e përshkruan veten si “Mbretëresha e Tigrave” e Gjermanisë.
Sipas mediave lokale, tigri ishte një nga tetë tigrat që mbaheshin në kompleksin industrial pranë qytetit gjerman Schkeuditz.
Në një deklaratë për BBC-në, policia tha se kafsha, u vra për të eliminuar çdo rrezik të mëtejshëm për publikun.
Autoritetet shtuan se telefonata e emergjencës u mor rreth orës 12:50 sipas kohës lokale të së dielës dhe efektivët mbërritën shpejt në vendngjarje.
Ende nuk dihet si tigri arriti të arratisej
Asnjë kafshë tjetër nuk ka arritur të dalë nga kompleksi dhe policia ka planifikuar përdorimin e dronëve për të siguruar që zona është plotësisht e sigurt.
Kryebashkiaku i distriktit, Thomas Druskat, kërkoi që kafshët e tjera të zhvendosen dhe deklaroi për mediat lokale se ishte “e paimagjinueshme” çfarë mund të kishte ndodhur nëse do të ishte lënduar dikush tjetër.
Banorët e zonës i thanë agjencisë gjermane DPA se incidenti ishte “i tmerrshëm dhe shqetësues”, ndërsa një prej tyre pretendoi se kafshët nuk mbaheshin në kushte të përshtatshme.

Organizata për mbrojtjen e kafshëve PETA i bëri thirrje qeverisë të ndërhyjë, duke deklaruar për DPA se duhen vendosur rregulla më të rrepta për mbrojtjen e kafshëve që mbahen nga privatët.
Sipas një faqeje interneti që mban emrin dhe nofkën e Carmen Zander, trajnerja organizon evente “të paharrueshme” dhe “unikale” ku publiku mund të përkëdhelte tigrat.
Në faqe thuhet se vizitorët mund të paguanin për të prekur nga afër “kafshët 250-kilogramëshe” në një kompleks pranë Leipzig. Një tjetër seksion i faqes shfaq fotografitë e tetë tigrave, tre prej të cilëve duket se kanë ngordhur gjatë viteve. /BBC/
© SYRI.net