Kryeministrja e qendrës së djathtë të Letonisë, Evika Siliņa, ka njoftuar të enjten se do të japë dorëheqjen nga posti i saj pas polemikave në koalicion dhe një incidenti me dron, duke çuar në praktikisht në shpërbërjen e aleancës qeverisëse të vendit.
“Kam marrë sot vendimin e vështirë, por të ndershëm – të tërhiqem nga posti i Kryeministres,” deklaroi Evika Siliņa në një postim në rrjetin social X, duke e përsëritur të njëjtën deklaratë edhe në një fjalim televiziv.
Ajo tha se prioriteti i saj ka qenë gjithmonë siguria dhe qytetarët e Letonisë, por sipas saj ‘xhelozia politike dhe interesat e ngushta partiake’ kanë marrë përparësi ndaj përgjegjësisë.
Dorëheqja e Siliņa-s nënkupton de facto rënien e koalicionit qeverisës trepartiak, i cili kishte qenë nën presion prej muajsh.
Kriza politike dhe incidenti me dron
Polemika më e fundit lidhet me dorëheqjen e ministrit të mbrojtjes së Letonisë, Andris Sprūds, i cili u largua pas kërkesës së Siliņa-s dhe pas shkeljes së hapësirës ajrore të vendit nga dronë ukrainas të devijuar nga Rusia.
Partia e tij ‘Progressives’ tërhoqi mbështetjen nga qeveria, duke e lënë kryeministren pa shumicë parlamentare.
Letonia pritej të zhvillonte zgjedhje parlamentare në tetor.
Presidenti i vendit, Edgars Rinkēvičs, i cili ka detyrën të emërojë kreun e ri të qeverisë, pritet të takohet me përfaqësues të të gjitha partive parlamentare.
Reagimi nga Ukraina
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, deklaroi se incidentet në Letoni ishin rezultat i luftës elektronike ruse që ka devijuar dronët ukrainas nga objektivat e tyre në territorin rus.
Ai ofroi ndihmën e Ukrainës për shtetet baltike dhe Finlandën për të forcuar sistemet e zbulimit dhe parandalimit të dronëve.
Javë politike e trazuar dhe skandale korruptive
Në një incident të veçantë, ministri i Bujqësisë Armands Krauze dhe drejtori i Sekretariatit Shtetëror Raivis Kronbergs janë ndaluar nga Byroja për Parandalimin dhe Luftimin e Korrupsionit (KNAB), sipas prokurorëve.
Sipas raportimeve, janë kryer kontrolle në banesat dhe vendet e tyre të punës, ndërsa telefonat e tyre rezultojnë të fikur.
Ata po hetohen për abuzim me pushtetin dhe dyshime për shpërndarje të paligjshme të ndihmave shtetërore për kompanitë në sektorin e përpunimit të drurit.
Industria e drurit përbën sektorin më të madh industrial në Letoni, një vend ku pyjet mbulojnë mbi 53% të territorit dhe sektori ka një vlerë miliarda euro.
© SYRI.net