Air Force One ka mbërritur në Pekin, duke shënuar fillimin e vizitës së parë të Presidentit Donald Trump në Kinë që prej vitit 2017 dhe një takim me peshë të lartë me Presidentin Xi Jinping.
Gjatë dy ditëve të bisedimeve, të enjten dhe të premten, liderët e dy ekonomive më të mëdha të globit pritet të diskutojnë disa nga çështjet më të ndjeshme në marrëdhëniet SHBA-Kinë: balancën tregtare, Tajvanin, garën për inteligjencën artificiale, si dhe përshkallëzimin e konfliktit SHBA-Izrael me Iranin.
Axhenda e Trump në Pekin përfshin një pritje zyrtare në Sallën e Madhe të Popullit, vizitë në Tempullin e Qiellit dhe një banket shtetëror, në një përpjekje për të kombinuar diplomacinë me simbolikën politike.
.@POTUS proceeds down the red carpet in Beijing — briefly giving his signature fist pump to the assembled Military Honor Guard and Chinese youth flag wavers pic.twitter.com/aDBQdDjsx8
— Rapid Response 47 (@RapidResponse47) May 13, 2026
Presidenti amerikan shoqërohet edhe nga një delegacion drejtuesish të korporatave të mëdha, mes tyre kompani që kërkojnë akses më të gjerë në tregun kinez. Në qendër të interesit është edhe Nvidia, e cila synon miratim për shitjen e çipave të avancuar H200 për inteligjencë artificiale në Kinë.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se do t’i kërkojë Xi Jinping të “hapë” më shumë ekonominë kineze për bizneset amerikane, duke theksuar se kompanitë e SHBA-së mund të sjellin “magjinë” e tyre në tregun kinez.
Në planin gjeopolitik, Trump pritet të ushtrojë presion ndaj Pekinit që të ndikojë mbi Teheranin për një marrëveshje me Uashingtonin, me synimin për të ulur tensionet rajonale, edhe pse ai ka sinjalizuar se ndihma kineze mund të mos jetë vendimtare.
Ndërkohë, Tajvani mbetet një tjetër pikë e nxehtë. Pekini ka ritheksuar kundërshtimin e tij ndaj shitjeve amerikane të armëve për ishullin, ndërsa mbetet e paqartë nëse Trump do të miratojë një paketë ushtarake prej 14 miliardë dollarësh. Uashingtoni, sipas ligjit amerikan, vijon të mbështesë aftësitë mbrojtëse të Tajvanit, pavarësisht mungesës së lidhjeve diplomatike formale.
© SYRI.net