Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një burrë dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij dhe më pas është zhdukur. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Piacenzës, në rajonin Emilia-Romagna.
Sipas mediave italiane, alarmi është dhënë nga vetë autori i dyshuar, i cili ka telefonuar shërbimet e urgjencës duke deklaruar: “Ejani, e vrava gruan time”. Pas telefonatës, ai është larguar dhe nuk është gjetur më në banesë.
Forcat e policisë dhe zjarrfikësit mbërritën menjëherë në apartamentin e çiftit, i ndodhur në katin e gjashtë të një pallati në periferi të qytetit. Meqenëse dera ishte e mbyllur, efektivët hynë në banesë nga ballkoni.
Brenda u gjet trupi i pajetë i një gruaje 56-vjeçare, e cila sipas hetimeve paraprake dyshohet se është goditur me thikë deri në vdekje. Raportohet se çifti kishte fëmijë.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur një operacion kërkimi për lokalizimin dhe arrestimin e bashkëshortit të viktimës, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit vijojnë.
© SYRI.net