Në selinë e partisë D66 të kryeministrit holandez Rob Jeten, shpërtheu një bombë, e futur përmes hapësirës së postës, por askush nuk u lëndua dhe, siç njoftoi policia, i dyshuari i sulmit u ndalua. Kryeministri Jeten tha se nuk do të frikësohej nga ky akt.
Sulmi u krye në Hagë, ku ndodhet selia e partisë së qendrës D66. Policia njoftoi se sulmi ndodhi të enjten vonë në mbrëmje dhe se sulmuesi ishte 37 vjeç, por nuk dha detaje të tjera.
Në kohën e shpërthimit, në selinë qendrore po zhvillohej një takim me rreth tridhjetë anëtarë të partisë me krahun rinor të saj. Siç deklaroi Jeten, të pranishmit ishin të shqetësuar, por nuk pati të lënduar.
Jeten, i cili mori detyrën në shkurt, tha në një konferencë javore për shtyp se "është mjaft e kotë të mendosh se mund t'i kërcënosh politikanët me këtë lloj veprimi".
Udhëheqësit e partive të tjera iu bashkuan Jetenit në dënimin e sulmit.
Kjo është hera e dytë në më pak se një vit që selia e D66 në qendër të Hagës është bërë shënjestër e një sulmi.
Në shtator, demonstratat e krahut të djathtë në qytet u shndërruan në të dhunshme dhe protestuesit plaçkitën ambientet e D66 - disa javë para zgjedhjeve parlamentare.
Jeten, kryeministri më i ri në historinë e Holandës, reagoi me sfidë edhe ndaj atij sulmi të mëparshëm, duke i quajtur sulmuesit "plehra".
© SYRI.net