Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth u pyet nëse operacionet e SHBA-së në Ngushticën e Hormuzit nënkuptojnë fundin e armëpushimit.
“Jo, armëpushimi nuk ka përfunduar,” tha ai. “Ky është një projekt i veçantë dhe i ndarë.”
Megjithatë, ai i bëri thirrje Iranit të tregojë “kujdes” dhe të mbajë veprimet e tij nën pragun që do të rindezte konfliktin.
“Për momentin, armëpushimi po mbahet,” u shpreh ai.
Hegseth deklaroi se SHBA-së nuk do t’i duhet të hyjë në hapësirën ajrore apo ujërat iraniane si pjesë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.
“Qindra anije janë në radhë për të kaluar” nëpër ngushticë, tha ai, duke shtuar se ky është një “mision i përkohshëm” për Shtetet e Bashkuara.
“Project Freedom është me natyrë mbrojtëse, i kufizuar në qëllim dhe i përkohshëm në kohëzgjatje, me një mision të vetëm: mbrojtjen e transportit tregtar të pafajshëm nga agresioni iranian. Forcat amerikane nuk do të kenë nevojë të hyjnë në ujërat apo hapësirën ajrore iraniane. Nuk është e nevojshme. Nuk po kërkojmë një përplasje,” u shpreh Hegseth gjatë konferencës.
Megjithatë, ai paralajmëroi se Irani “do të përballet me fuqi dërrmuese zjarri” nëse sulmon transportin tregtar dhe shtoi se pret që pjesa tjetër e botës “të marrë përgjegjësi” për mbrojtjen e kësaj rruge ujore “në momentin e duhur”.
Irani sulmoi 10 herë forcat amerikane
Duke iu referuar një harte që paraqet Ngushticën e Hormuzit, kreu i Shtabit të Përbashkët gjenerali Dan Caine, tha se Irani ka qëlluar nëntë herë ndaj anijeve tregtare, ka sekuestruar dy anije kontejnerësh dhe ka sulmuar 10 herë forcat amerikane që prej marrëveshjes së armëpushimit më 8 prill.
Ai shtoi se këto veprime kanë mbetur nën pragun për rifillimin e operacioneve të mëdha luftarake “në këtë fazë”.
Caine deklaroi se sulmet e djeshme të Iranit me raketa, dronë dhe mjete të vogla detare ndaj forcave amerikane në ngushticë u zmbrapsën me sukses nga helikopterët amerikanë.
Ai theksoi gjithashtu se rreth 22,500 detarë në 1,550 anije tregtare janë bllokuar në Gjirin Persik dhe nuk mund të kalojnë.
Ne perditesim...
© SYRI.net