Konfirmohet rasti i dytë me hantavirus pas vdekjeve në kroçerën në Atlantik

Konfirmohet rasti i dytë me hantavirus pas vdekjeve në kroçerën në Atlantik

13:56, 05/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dy raste me hantavirus janë konfirmuar pasi tre persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti në gjendje të rëndë në një shpërthim të dyshuar në bordin e një anijeje turistike që po kalonte Oqeanin Atlantik.

Një çift holandez dhe një pasagjer gjerman humbën jetën, ndërsa gruaja holandeze rezultoi pozitive me virusin, bëri të ditur operatori i anijes MV Hondius, kompania Oceanwide Expeditions.

Virusi i rrallë u konfirmua gjithashtu te një shtetas britanik 69-vjeçar, i cili u transportua me urgjencë në një spital në Afrikën e Jugut për trajtim intensiv.

Dy anëtarë të ekuipazhit një britanik dhe një holandez me raste të pakonfirmuara dhe një person në kontakt të afërt me pasagjerin gjerman pritet të evakuohen nga anija, e cila aktualisht ndodhet e ankoruar pranë Kepit të Gjelbër, në brigjet perëndimore të Afrikës.

Anija ishte planifikuar të ankorohej në Kepin e Gjelbër të martën, por autoritetet lokale kanë ndaluar zbarkimin e pasagjerëve për arsye sigurie.

Rreth 149 persona nga 23 vende ndodhen ende në bordin e MV Hondius nën masa të rrepta paraprake, përfshirë izolimin dhe protokollet higjienike, sipas Oceanwide Expeditions.

Lexo edhe: Pllakos epidemia e hantavirusit në kroçerën në Atlantik, 3 të vdekur! OBSH: Dyshohet për raste të tjera

Ata kanë udhëtuar më shumë se 6,000 milje detare pasi u nisën nga Argjentina rreth një muaj më parë. Hantavirusi zakonisht përhapet nga brejtësit përmes feçeve, pështymës ose urinës së tyre dhe mund të shkaktojë sëmundje të rënda respiratore. Transmetimi nga njeriu te njeriu është i rrallë.

Deri tani, virusi është konfirmuar vetëm te gruaja holandeze që humbi jetën dhe te shtetasi britanik i shtruar në spital në Johanesburg. Shkaqet e vdekjes së pasagjerëve të tjerë janë ende nën hetim.

Burri holandez ndërroi jetë muajin e kaluar gjatë udhëtimit në det. Bashkëshortja e tij vdiq më vonë në një spital në Johanesburg, pasi ishte transportuar nga ishulli Shën Helena, ku kishte zbritur nga anija.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është në bisedime me autoritetet spanjolle për vijimin e udhëtimit të anijes drejt Ishujve Kanarie, ku pritet të kryhet një vlerësim i plotë i rrezikut, me të gjithë pasagjerët ende në bord.

Oceanwide Expeditions bëri të ditur se po shqyrtohet mundësia që anija të lundrojë drejt Las Palmas ose Tenerife, ku mund të realizohen kontrolle të mëtejshme mjekësore.

OBSH theksoi se prioritet mbetet trajtimi i dy anëtarëve të ekuipazhit me simptoma respiratore, të cilët pritet të transportohen drejt Holandës së bashku me një person të lidhur me pasagjerin gjerman që humbi jetën.

Asnjë pasagjer tjetër nuk ka shfaqur simptoma deri më tani.

Lexo edhe: Tre viktima nga hantavirusi në një anije turistike në Atlantik

Megjithëse transmetimi nga njeriu te njeriu është i rrallë, OBSH nuk përjashton mundësinë që ai të ketë ndodhur mes personave që kanë ndarë kabina.

Sipas ekspertëve, infektimi fillestar mund të ketë ardhur nga brejtës para nisjes së anijes nga Ushuaia në Argjentinë ose gjatë ndalesave në ishuj të ndryshëm.

Një pasagjer anonim deklaroi për BBC se një avion është në rrugë për të evakuuar tre persona dhe se pjesa tjetër e pasagjerëve pritet të dërgohet drejt Ishujve Kanarie.

Ndërkohë, një tjetër pasagjer, vlogeri i udhëtimeve Jake Rosmarin, publikoi një video ku theksoi pasigurinë dhe ankthin që po përjetojnë personat në bord.

Sipas një kronologjie të dhënë nga kompania, një pasagjer u sëmur dhe vdiq më 11 prill. Trupi i tij u largua nga anija më 24 prill në ishullin Shën Helena. Më pas, bashkëshortja e tij u sëmur dhe ndërroi jetë gjatë kthimit. Më 27 prill, shtetasi britanik u sëmur rëndë dhe u dërgua në Afrikën e Jugut, ku ndodhet në gjendje kritike, por të stabilizuar. Një pasagjer i tretë, gjerman, vdiq më vonë në bord.

Ministri i Shëndetësisë i Afrikës së Jugut deklaroi se pacienti britanik po trajtohet me terapi mbështetëse, pasi nuk ekziston një trajtim specifik për hantavirusin.

Autoritetet britanike janë në kontakt me familjen e tij, ndërsa OBSH ka theksuar se rreziku për publikun mbetet i ulët dhe nuk ka nevojë për panik apo kufizime udhëtimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco