Flotilja Globale "Sumud" e cila shkon në Gaza tha sot në mëngjes se forcat detare izraelite kanë kapur dhe çaktivizuar disa nga anijet e saj në ujërat ndërkombëtare, duke lënë qindra civilë të bllokuar në det ndërsa po afrohej një stuhi, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë përmes platformës amerikane të mediave sociale X, grupi tha se forcat izraelite "kapën, hipën në anije dhe çaktivizuan sistematikisht" disa anije që merrnin pjesë në flotilje.
"Pasi shkatërruan motorët dhe sistemet e navigimit, ushtria u tërhoq duke lënë qëllimisht qindra civilë të bllokuar në anije pa energji dhe të prishura, direkt në rrugën e një stuhie masive që po afrohej", thuhet në deklaratë.
"Komunikimet me anije të shumta janë bllokuar, duke ndërprerë aftësinë e tyre për t'u koordinuar ose për të sinjalizuar për ndihmë", tha Flotilja.
Grupi e përshkroi incidentin si pjesë të një modeli më të gjerë veprimesh që synojnë civilët.
"Bota po dëshmon eksportimin e doktrinës së ushtrisë izraelite për braktisje të projektuar", tha deklarata duke e përshkruar incidentin si "një bastisje të dhunshme", ku forcat detare izraelite kanë "kapur, hipur në anije dhe çaktivizuar sistematikisht anije të ndryshme të Flotiljes Globale 'Sumud'".
Gjithashtu, ajo e lidhi incidentin me situatën në Rripin e Gazës, duke akuzuar Izraelin për vendosjen e kufizimeve dhe vështirësive të zgjatura në enklavë. "Logjika që po përdoret është identike: shteti izraelit krijon kushtet për vdekje, saboton mjetet e mbijetesës dhe pastaj pret që 'natyra' ose 'rrethanat' të përfundojnë punën", shtoi deklarata.
Të mërkurën vonë, Radioja e Ushtrisë Izraelite tha se forcat detare filluan të merrnin kontrollin e anijeve të flotiljes që shkonin për në Gaza, larg bregdetit të Izraelit. Ajo shtoi se forcat izraelite deri më tani kishin sekuestruar shtatë nga anijet e flotiljes pranë ishullit grek të Kretës.
Flotilja, që mbante ndihmë humanitare për Gazën, synon të thyejë bllokadën e Izraelit dhe të hapë një korridor humanitar nga deti. Izraeli ka vendosur bllokadë në Rripin e Gazës që nga viti 2007, duke lënë rreth 1.5 milion nga afërsisht 2.4 milionë palestinezë të pastrehë pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan gjatë luftës.
Intensifikohen kritikat në Evropë pas ndalimit izraelit të flotiljes që shkonte për në Gaza pranë Greqisë
Kritikat nga e gjithë Evropa janë shtuar pasi forcat izraelite ndaluan Flotiljen Globale "Sumud" që ishte nisur drejt Gazës në ujërat ndërkombëtare pranë Greqisë, duke nxitur akuza për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Ish-ministri i Financave i Greqisë, Yanis Varoufakis, kritikoi ashpër qeverinë greke, duke iu referuar zhvillimeve pranë brigjeve të ishullit grek të Kretës.
"Porsa fola me miq në Flotiljen Globale 'Sumud'. Anijet dhe dronët izraelitë po i ngacmojnë pranë brigjeve të Kretës", tha ai përmes platformës amerikane X.
"Qeveria greke ose është bashkëfajtore ose e paaftë për të mbrojtur detet tona nga Izraeli", shtoi ai, ndërsa qeveria greke dhe zyrtarët izraelitë nuk reaguan menjëherë ndaj komenteve të tij.
Ndërkohë, ligjvënësi italian Arturo Scotto tha se flotilja u ndalua rreth 700 milje nga Gaza në ujërat ndërkombëtare pranë Greqisë.
"Historia përsëritet. Këtë herë, shumë konkretisht në Evropë", shkroi Scotto në X, duke vënë në pikëpyetje nëse "dhuna dhe shpërfillja e së drejtës ndërkombëtare" mund të tolerohen.
Në Spanjë, Ione Belarra, udhëheqëse e partisë Podemos, tha se flotilja duket se është "sekuestruar në ujërat ndërkombëtare" nga forcat izraelite.
"Ky është një tjetër krim lufte për të cilin një ditë do të duhet të japin llogari", shkroi ajo në X, duke i bërë thirrje qeverisë spanjolle dhe Komisionit Evropian të ofrojnë mbrojtje të menjëhershme.
Ndërkaq, një aktivist spanjoll në bord të flotiljes, Pablo Quesada Martin, tha se dronët izraelitë po rrotulloheshin mbi anijet dhe paralajmëroi se një ndërhyrje mund të jetë e afërt.
"Rikonfirmojmë se ndalimi i një anijeje në ujërat ndërkombëtare është shkelje e së drejtës ndërkombëtare", tha ai në një mesazh me video, duke shtuar se personat në bord po kërkonin mbështetje nga autoritetet greke.
"Ata po kryejnë gjenocid në Palestinë, po realizojnë spastrim etnik dhe askush nuk po bën asgjë për këtë. Rroftë lufta e popullit palestinez", shtoi Martin.
Flotilja, e cila transporton ndihmë humanitare për Gazën, synon të thyejë bllokadën e Izraelit dhe të hapë një korridor humanitar detar.
Zhvillimet erdhën disa orë pasi mediat në gjuhën hebraike raportuan se Izraeli po përgatitej të ndalte flotiljen, e cila përfshin rreth 100 anije me afro 1.000 aktivistë nga disa vende.
Izraeli ka vendosur bllokadë ndaj Rripit të Gazës që nga viti 2007 dhe ka lënë rreth 1,5 milion palestinezë nga afro 2,4 milionë pa strehë, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan gjatë luftës.
Turqia: Ndërhyrja e Izraelit ndaj Flotiljes Globale "Sumud" me ndihma për Gazën akt piraterie
![]()
Turqia e quajti sot ndërhyrjen e paligjshme të Izraelit kundër një flotilje ndihme që shkonte në Gaza një akt piraterie, duke thënë se po ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm lidhur me qytetarët e saj dhe pasagjerët e tjerë në bord, transmeton Anadolu.
"Duke sulmuar Flotiljen Globale 'Sumud', e cila kërkoi të tërhiqte vëmendjen ndaj katastrofës humanitare me të cilën përballet populli i shtypur i Gazës, Izraeli ka synuar vlerat humanitare dhe të drejtën ndërkombëtare", tha Ministria e Jashtme Turke në një deklaratë.
Ajo tha se veprimet e Izraelit shkelën parimin e lirisë së lundrimit në ujërat ndërkombëtare.
"Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbajë qëndrim të bashkuar kundër këtij akti të paligjshëm nga Izraeli. Po ndërmerren të gjitha hapat e nevojshëm në koordinim me vendet përkatëse lidhur me situatën e qytetarëve tanë dhe pasagjerëve të tjerë në bord të flotës", tha ministria.
Organizimi i Flotiljes Globale "Sumud" tha se anijet ushtarake izraelite rrethuan konvojin në ujërat ndërkombëtare pranë ishullit grek të Kretës, duke bllokuar komunikimet dhe duke prerë kontaktin me 11 anije.
Flotilja, që mbante më shumë se 400 civilë, synonte të hapte një korridor detar humanitar për në Gaza dhe të shpërndante ndihma në enklavë, e cila ka qenë nën një bllokadë izraelite që nga viti 2007.
Grupi aktivist grek akuzon Athinën për "bashkëpunim" në ndërhyrjen e Izraelit ndaj flotiljes së ndihmës drejt Gazës
Një grup aktivistësh grekë akuzoi qeverinë për heshtje ndaj ndërhyrjes së Izraelit ndaj Flotiljes Globale "Sumud", duke bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare, transmeton Anadolu.
Grupi "March to Gaza Greece", njoftoi një demonstratë emergjente që do të mbahet në orën 18:00 sipas kohës lokale përpara Ministrisë së Jashtme greke në Athinë, duke u bërë thirrje qytetarëve të dalin në rrugë. Në një deklaratë në platformën amerikane të mediave sociale Facebook, grupi pretendoi se Izraeli shënjestroi flotiljen dhe se anijet u ndaluan në zonën e kërkim-shpëtimit të Greqisë.
"Sulmi izraelit ndaj Flotiljes së Lirisë u krye me bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të Greqisë!", thuhet në deklaratë. "Ju bëjmë thirrje në çdo qytet, në çdo cep të Greqisë të dilni në rrugë për të ngritur zërin kundër bashkëfajësisë greke", tha grupi.
"Nuk do të qëndrojmë në heshtje. Të gjithë në rrugë", shtoi ai.
Më herët, ish-ministri i Financave të Greqisë, Yanis Varoufakis tha: "Sapo fola me miqtë në Flotiljen Globale 'Sumud'. Anijet dhe dronët izraelitë po i shqetësojnë ata pranë brigjeve të Kretës".
"Qeveria greke ose është bashkëfajtore ose e paaftë për të mbrojtur detet tona nga Izraeli", tha ai përmes platformës amerikane të mediave sociale X.
Marina izraelite ndaloi anijet e flotiljes vonë të mërkurën ndërsa ato po drejtoheshin drejt Gazës për të thyer një bllokadë të gjatë mbi enklavën. Grupi tha se forcat izraelite rrethuan konvojin në ujërat ndërkombëtare pranë ishullit grek të Kretës, bllokuan komunikimet dhe sekuestruan 21 anije, duke shtuar se 17 anije arritën të shpëtojnë dhe të hyjnë në ujërat greke pas incidentit.
Flotilja, që transporton ndihmë humanitare për Gazën, synon të thyejë bllokadën e Izraelit dhe të hapë një korridor humanitar nëpërmjet detit. Kjo lëvizje erdhi disa orë pasi mediat hebraike raportuan se Izraeli po përgatitej të ndërhynte ndaj flotiljes, e cila përfshin rreth 100 anije në total me afro 1.000 aktivistë nga disa vende.
Izraeli ka vendosur një bllokadë ndaj Rripit të Gazës që nga viti 2007, duke lënë rreth 1.5 milion palestinezë nga rreth 2.4 milionë pa shtëpi pasi banesat e tyre u shkatërruan gjatë luftës.
Izraeli sekuestron në ujërat ndërkombëtare 21 anije të Flotiljes "Sumud" që shkonin për në Gaza
![]()
Flotilja Globale "Sumud" tha sot se forcat izraelite sekuestruan 21 nga anijet e saj në ujërat ndërkombëtare disa milje larg ujërave territoriale të Greqisë, transmeton Anadolu.
Grupi tha se 17 anije arritën të shpëtonin dhe të hynin në ujërat greke pas incidentit.
Ministria e Jashtme izraelite pretendoi në një deklaratë përmes platformës amerikane të mediave sociale X se afërsisht 175 aktivistë nga më shumë se 20 anije të flotiljes "po ecin tani në mënyrë paqësore drejt Izraelit".
Më parë, flota e drejtuar për në Gaza tha se forcat detare izraelite kapën dhe paaftësuan disa nga anijet e saj në ujërat ndërkombëtare, duke lënë qindra civilë të bllokuar në det ndërsa afrohej një stuhi.
Të mërkurën vonë, Radioja e Ushtrisë Izraelite tha se forcat detare filluan të merrnin kontrollin e anijeve të flotiljes që shkonin për në Gaza larg bregdetit të Izraelit. Ajo shtoi se forcat izraelite deri më tani kanë sekuestruar shtatë nga anijet e flotiljes pranë ishullit grek të Kretës.
Flotilja, që mbante ndihmë humanitare për Gazën, synon të thyejë bllokadën e Izraelit dhe të hapë një korridor humanitar nga deti.
Izraeli ka vendosur bllokadë në Rripin e Gazës që nga viti 2007, duke lënë rreth 1.5 milion nga afërsisht 2.4 milionë palestinezë të pastrehë, pasi shtëpitë e tyre u shkatërruan gjatë luftës./AA
© SYRI.net