Indinjatë ndërkombëtare pas pamjeve të ushtarit izraelit që shkatërron statujën e Jezusit

Indinjatë ndërkombëtare pas pamjeve të ushtarit izraelit që shkatërron statujën e Jezusit

08:43, 21/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Imazhi i një ushtari izraelit që duket se godet një statujë të Jezusit me një vare në jug të Libanit ka nxitur ka shkaktuar reagime të forta pasi u përhap gjithandej në internet.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ishte “i tronditur dhe i pikëlluar” nga ajo që ndodhi. Ministri i Jashtëm, Gideon Saar, tha: “Kërkojmë ndjesë për këtë incident dhe ndaj çdo të krishteri që u ndje i lënduar.”

Banorët lokalë thonë se statuja ndodhej në një kryq jashtë një shtëpie në periferi të Debelit, një nga pak fshatrat ku banorët kanë qëndruar gjatë luftës së Izraelit me Hezbollahun.

Kreu i komunitetit të Debelit, atë Fadi Flaifeli, i tha BBC-së: “Ne e refuzojmë plotësisht përdhosjen e kryqit, simbolit tonë të shenjtë, dhe të të gjitha simboleve fetare.

“Kjo bie ndesh me deklaratën e të drejtave të njeriut dhe nuk pasqyron qytetërim.”

Ai pretendoi se akte të ngjashme kishin ndodhur edhe më parë.

Ushtria izraelite konfirmoi se imazhi që qarkullon në rrjetet sociale është i vërtetë dhe tha se e konsideron incidentin “me seriozitet të madh dhe thekson se sjellja e ushtarit është plotësisht në kundërshtim me vlerat që priten nga trupat e saj”.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) shtuan se do të merren “masa të përshtatshme” ndaj të përfshirëve, duke thënë se po punojnë me komunitetin e krishterë për ta “rikthyer statujën në vendin e saj”.

Mijëra trupa izraelite vazhdojnë të qëndrojnë në një zonë të gjerë të jugut të Libanit pasi një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA hyri në fuqi të premten mes Izraelit dhe Libanit.

Armëpushimi ka ndalur gjashtë javë luftime mes IDF-së dhe grupit të armatosur mysliman shiit Hezbollah, megjithëse të dy palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje.

Lajmi për sulmin ndaj statujës nxiti ambasadorin e SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, një pastor baptist, të shkruante në X se “nevojiten pasoja të shpejta, të rënda dhe publike”.

Komentatorë të djathtë në SHBA nuk vonuan ta dënojnë foton e ushtarit izraelit me statujën e Jezusit. “E tmerrshme,” shkroi Matt Gaetz, një ish-kongresmen dhe ish-këshilltar i presidentit Donald Trump, ndërsa rishpërndau foton.

Edhe ish-kongresistja amerikane Marjorie Taylor Greene ndau foton dhe shkroi: “‘Aleati ynë më i madh’ që merr miliarda dollarë nga taksat tona dhe armë çdo vit.”

Sondazhet tregojnë se kohët e fundit ka pasur një rënie të mbështetjes për Izraelin në SHBA, aleatin e tij më të rëndësishëm.

Një sondazh i fundit nga Pew Research Center, një institut kërkimor në SHBA, sugjeron se 60% e të rriturve amerikanë kanë një qëndrim të pafavorshëm ndaj Izraelit, nga 53% vitin e kaluar.

Muajin e shkuar pati reagim ndërkombëtar pasi policia izraelite pengoi udhëheqësin më të lartë katolik në Jerusalem të hynte në Kishën e Varrit të Shenjtë për një meshë private në të Dielën e Larit. Policia izraelite tha se kjo u bë për arsye sigurie gjatë luftës me Iranin.

Huckabee e quajti atë episod një “tejkalim të tmerrshëm që tashmë ka pasoja të mëdha në mbarë botën”. Duke qenë se kufizimet izraelite lejonin grumbullime fetare deri në 50 persona në atë kohë, ai tha se vendimi për t’u mohuar hyrjen drejtuesve të Kishës ishte “i vështirë për t’u kuptuar ose justifikuar”.

Një raport i vitit 2025 nga Rossing Center, një organizatë me bazë në Jerusalem që synon të nxisë marrëdhënie më të mira ndërfetare në Tokën e Shenjtë, përshkruan një “rritje të fundit të armiqësisë së hapur ndaj krishterimit”, duke ia atribuar këtë “thellimit të vazhdueshëm të polarizimit dhe prirjeve politike ultra-nacionaliste”.

Postimi i Benjamin Netanyahu-t për statujën e Jezusit ishte shkruar në anglisht. Ai thoshte se “popullsia e krishterë në Izrael po lulëzon, ndryshe nga vende të tjera në Lindjen e Mesme”.

Ai shtoi: “Izraeli është i vetmi vend në rajon ku popullsia e krishterë dhe standardi i jetesës po rriten. Izraeli është i vetmi vend në Lindjen e Mesme që respekton lirinë e besimit për të gjithë.”

Hezbollahu filloi të lëshonte raketa drejt Izraelit në mbështetje të Iranit, dy ditë pasi Izraeli dhe SHBA nisën një luftë kundër Teheranit në fund të shkurtit.

Izraeli nisi një fushatë ushtarake me 2 mars, gjatë së cilës më shumë se një milion libanezë janë zhvendosur dhe mbi 2290 persona janë vrarë, përfshirë 177 fëmijë dhe 100 punonjës shëndetësorë, sipas autoriteteve libaneze. 13 ushtarë izraelitë dhe dy civilë janë vrarë nga sulmet e Hezbollahut në të njëjtën periudhë, sipas zyrtarëve izraelitë. / BBC – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco