Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se qeveria do të ashpërsojë ligjet për armët, pas një serie sulmesh të rënda në shkolla që kanë tronditur opinionin publik në vend.
Erdoğan tha se masat e reja do të përfshijnë rritjen e dënimeve për personat që u japin armë të miturve, si dhe forcimin e kontrollit mbi armëmbajtjen në përgjithësi. Sipas tij, autoritetet po shqyrtojnë një paketë më të gjerë rregullash për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
Deklaratat vijnë pas dy incidenteve të ndodhura javën e kaluar. Në Sanliurfa, një ish-nxënës 19-vjeçar hapi zjarr në një shkollë të mesme, duke plagosur 16 persona përpara se të vetëvritej.
Ndërsa në Kahramanmaraş, një 14-vjeçar vrau tetë nxënës dhe një mësues në një shkollë, duke përdorur një armë që i përkiste babait të tij. Autori u gjet i vdekur në vendngjarje.
Presidenti turk shtoi gjithashtu se qeveria po shqyrton masa shtesë për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale. Ai theksoi se planifikohet vendosja e detyrueshme e verifikimit të identitetit dhe rregullimi i përdorimit të platformave online për fëmijët nën 15 vjeç.
“Zbatimi i rregullores që kufizon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç do të mbushë një boshllëk të rëndësishëm,” u shpreh Erdoğan.
© SYRI.net