Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Almeria në juglindje të Spanjës, duke lënë një person të vdekur dhe të paktën tre të plagosur rëndë.
Sipas autoriteteve lokale, ngjarja u regjistrua rreth orës 17:20 në një bar pranë ringut të demave, ku fillimisht ndodhi një shpërthim i fortë që shkaktoi dëme të mëdha në ambientet e brendshme. Pak çaste më vonë, një shpërthim i dytë u raportua në një garazh ngjitur, duke shtuar panikun dhe shkatërrimin në zonë.
Viktima dyshohet të jetë një kalimtar i rastësishëm, i cili ndodhej pranë lokalit në momentin e shpërthimit. Ndërkohë, tre persona të tjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë në spital për trajtim mjekësor.
Forcat e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku rruga u mbulua nga xhama të thyer dhe mbetje të shumta. Disa automjete të parkuara pranë pësuan dëme të konsiderueshme nga fuqia e shpërthimit.
Shkaku i incidentit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por dyshimet e para tregojnë se mund të bëhet fjalë për një shpërthim gazi. Autoritetet kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
“Dy shpërthime që ndodhën këtë pasdite në një kafene në qendër të qytetit Almeria kanë lënë një person të vdekur dhe tre të tjerë të lënduar. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:20, në një bar në Calle Alfarerias, në qendër të qytetit. Ne morëm shumë raportime për një shpërthim, që mund të jetë shkaktuar nga gazi, i cili shkaktoi zjarr në ambientet e barit dhe rrëzoi pjesërisht fasadën”, - tha një zëdhënës i qendrës rajonale.
“Shërbimet e emergjencës kanë konfirmuar se ka pasur dy shpërthime, një në kafene dhe një tjetër në garazhin ngjitur, të mundshme shkaktuar nga gazi”, ka shtuar ai.
“Dy nga të lënduarit janë dërguar në Spitalin Torrecardenas, njëri në gjendje serioze për shkak të djegieve dhe tjetri me lëndime të lehta nga thithja e tymit. Personi i tretë u dërgua në qendrën shëndetësore këtu pranë, gjendja e të cilit nuk dihet”, tha zëdhënësi.
© SYRI.net