Lajmi i fundit

EKSKLUZIVE/ Gjykata e Lartë ndryshon Kodin e Procedurës Penale dy herë brenda 6 muajsh për të mbrojtur Olta Xhaçkën

 Irani ekzekuton 3 persona, mes tyre kampionin e mundjes,19-vjeçarin Saleh Mohammadi

Irani ekzekuton 3 persona, mes tyre kampionin e mundjes,19-vjeçarin Saleh Mohammadi

18:19, 19/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Grupet e të drejtave të njeriut thanë se tre persona, mes të cilëve edhe një adoleshent që kishte marrë pjesë në gara ndërkombëtare të mundjes, u ekzekutuan pa një proces të drejtë gjyqësor dhe kishin dhënë rrëfime nën torturë.

Irani ekzekutoi të enjten tre persona, të akuzuar për vrasjen e efektivëve të policisë gjatë protestave në janar, ndërsa aktivistët paralajmërojnë për rrezikun e një vale të re ekzekutimesh, teksa lufta me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara vijon të përshkallëzohet.

Këto ishin varjet e para që Irani ka kryer në lidhje me protestat mbarëkombëtare, të cilat u përballën me një shtypje të ashpër nga autoritetet.

Grupet e të drejtave të njeriut thanë se tre personat, mes të cilëve edhe një adoleshent që kishte marrë pjesë në gara ndërkombëtare të mundjes, u ekzekutuan pa një proces të drejtë gjyqësor dhe kishin dhënë rrëfime nën torturë.

Mehdi Ghasemi, Saleh Mohammadi dhe Saeed Davoudi u varën në qytetin e Qom, në jug të Tehran, pasi u shpallën fajtorë për krimin kapital të “luftës kundër Zotit”, i njohur si moharebeh sipas ligjit islamik të Iranit, njoftoi agjencia e lajmeve e drejtësisë, Mizan.

Ata u shpallën fajtorë për përfshirje në vrasjen e dy efektivëve të policisë dhe për kryerjen e “veprimeve operacionale” në favor të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Kishte shqetësim të veçantë për fatin e Saleh Mohammadi, një kampion adoleshent i mundjes që kishte marrë pjesë në gara ndërkombëtare, i cili sipas Amnesty International u privua nga “mbrojtja e duhur dhe u detyrua të bënte ‘rrëfime’... në procedura të përshpejtuara që nuk i ngjanin aspak një gjyqi të mirëfilltë”.

Organizata me bazë në Norvegji Iran Human Rights tha pas ekzekutimeve se tre personat “ishin dënuar me vdekje pas një gjyqi të padrejtë, bazuar në rrëfime të marra nën torturë”.

Sipas saj, Mohammadi kishte mbushur vetëm 19 vjeç javën e kaluar.

Ndërkohë, monitoruesi i çështjeve ligjore në Iran, Dadban, shtoi se ata u “privuan nga qasja efektive në një mbrojtje të pavarur dhe nga e drejta për t’u mbrojtur”, dhe në këto kushte përdorimi i dënimit me vdekje i ngjan një “ekzekutimi jashtëgjyqësor”.

Iran Human Rights ka deklaruar se qindra persona përballen me akuza të lidhura me protestat, të cilat mund t’i çojnë në dënim me vdekje. Presidenti amerikan Donald Trump fillimisht kishte paralajmëruar se SHBA do të sulmonte Iranin nëse ekzekutoheshin protestues, por më pas u përqendrua tek programi bërthamor i vendit.

Irani është vendi me numrin më të lartë të ekzekutimeve në botë pas Kinës, sipas grupeve të të drejtave të njeriut. Vitin e kaluar, ai ka varur të paktën 1,500 persona.

Sipas këtyre organizatave, republika islamike ka ekzekutuar 13 persona për akuza të lidhura me konfliktin e qershorit 2025 me Izrael dhe 12 persona për akuza që lidhen me protestat mbarëkombëtare të viteve 2022–2023.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco