Presidenti francez Emmanuel Macron e siguroi të mërkurën homologun e tij spanjoll Pedro Sánchez për solidaritetin e Francës në mosmarrëveshjen e kryeministrit spanjoll me Presidentin e SHBA-së Donald Trump për luftën në Iran.
Në një telefonatë me Sánchez, Macron shprehu "solidaritetin evropian" të Francës me Spanjën, sipas burimeve pranë presidentit francez.
Të martën, Trump kishte kërcënuar, në një dalje për shtyp gjatë vizitës së kancelarit gjerman Friedrich Merz në Shtëpinë e Bardhë, se do të ndërpriste tregtinë me Spanjën për shkak të refuzimit të qeverisë Sánchez për të lejuar SHBA-në të përdorë bazat ushtarake për luftën e saj me Iranin.
Trump tha se duke pasur parasysh qëndrimin e Spanjës, ai i kishte udhëzuar Sekretarit të Thesarit Scott Bessent të ndalonte të gjitha marrëdhëniet me Madridin. Më vonë ai tha: "Ne nuk duam të kemi asgjë të përbashkët me Spanjën".
Qeveria spanjolle e ka justifikuar qëndrimin e saj duke argumentuar se lufta, sipas saj, është një shkelje e së drejtës ndërkombëtare.
Edhe vetë Franca është përballur me kritika të ashpra nga Trump. Në janar, për shkak të qëndrimit hezitues të Francës për t'u bashkuar me këshillin e paqes të iniciuar nga SHBA-të për Rripin e Gazës, Trump kishte kërcënuar me tarifa prej 200% për verën dhe shampanjën./ DPA News.
© SYRI.net