Pas 144 vitesh ndërtimi, kisha ikonike Sagrada Familia në Barcelonë ka arritur një tjetër moment historik. Të premten u vendos pjesa e fundit e kullës qendrore, duke përmbyllur strukturën e kullës kushtuar Jezu Krishtit.
Në majë të kullës u instalua kryqi me katër faqe prej çeliku dhe qelqi, 17 metra i lartë. I projektuar nga arkitekti katalanas Antoni Gaudí, kryqi ka katër krahë, në mënyrë që të jetë i dukshëm nga çdo drejtim i qytetit.
Ndërkohë, pjesa e brendshme e Kullës së Jezu Krishtit vijon të jetë në ndërtim, ndërsa fasada e jashtme është ende e rrethuar nga skela. Autoritetet e kishës bëjnë të ditur se skelat pritet të hiqen brenda pak muajsh, në kohë për inaugurimin zyrtar që është planifikuar për qershor.
Ceremonia do të përkojë me 100-vjetorin e vdekjes së Gaudí-t. Kulla e Jezu Krishtit ka arritur tashmë lartësinë maksimale prej 172.5 metrash dhe është një nga 18 kullat e konceptuara fillimisht nga arkitekti. Gaudí nisi projektimin e Sagrada Familias më shumë se 140 vjet më parë, ndërsa guri i parë i monumentit u vendos në vitin 1882.
Me përfundimin e kullës qendrore, Sagrada Familia është tashmë ndërtesa më e lartë në Barcelona dhe kisha më e lartë në botë. Monumenti vizitohet çdo vit nga miliona turistë, ndërsa të ardhurat nga biletat e hyrjes financojnë kryesisht ndërtimin e saj të vazhdueshëm. Sipas parashikimeve, përfundimi i plotë i kishës pritet të zgjasë ende rreth një dekadë.
© SYRI.net