Një 11-vjeçar nga Pensilvania u paraqit në gjykatë me pranga dhe i shoqëruar nga roje, pasi akuzohet se qëlloi për vdekje babain e tij brenda shtëpisë, pas një konflikti për një video-lojë.
Clayton Dietz përballet me akuzën e vrasjes dhe do të gjykohet si i rritur për ngjarjen e ndodhur më 13 janar, në ditën e tij të lindjes, në zonën Duncannon, në veri të Harrisburg.
Sipas autoriteteve, 11-vjeçari po kërkonte lojën e tij Nintendo, të cilën prindërit ia kishin marrë dhe e kishin vendosur, së bashku me një revolver, në një kasafortë brenda shtëpisë.
I mituri dyshohet se gjeti çelësat e kasafortës, e hapi atë dhe mori armën. Sipas dosjes hetimore, ai e mbushi revolverin me plumba dhe u drejtua drejt shtratit ku po flinte njerku i tij 42-vjeçar, Douglas Dietz. Më pas, ai e qëlloi në kokë ndërsa ishte në gjumë.
Policia mbërriti në banesë rreth orës 03:20 të mëngjesit, pas një telefonate për të shtëna me armë. Oficerët gjetën 42-vjeçarin me plagë plumbi në kokë, ndërsa 11-vjeçari raportohet se bërtiste.
Sipas dokumenteve gjyqësore, fëmija thërriste “Babi është i vdekur” dhe i kishte thënë nënës së tij: “E vrava babin”.
Gjatë marrjes në pyetje, kur u pyet se çfarë mendonte se do të ndodhte pasi qëlloi, ai u përgjigj se ishte i zemëruar dhe “nuk mendoi se çfarë do të ndodhte”.
© SYRI.net