Njëmbëdhjetë persona u vranë nga një sulm ndaj tre mjeteve lundruese të dyshuara për trafik droge në Paqësorin Lindor dhe në Karaibe, njoftoi ushtria amerikane.
Sipas zyrtarëve, nga 11 “narko-terroristët meshkuj” të vrarë, katër humbën jetën në mjetin e parë në Paqësorin Lindor, katër të tjerë në një mjet të dytë po në Paqësorin Lindor dhe tre në një mjet të tretë në Karaibe.
Administrata e Donald Trump ka kryer më shumë se 40 sulme vdekjeprurëse ndaj mjeteve të dyshuara për trafik droge në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor që nga muaji shtator.
“Inteligjenca konfirmoi se mjetet lundruese po lëviznin përgjatë rrugëve të njohura të trafikut të drogës dhe ishin të përfshira në operacione të trafikut të narkotikëve”, thuhet në një postim në rrjetet sociale nga Komanda Jugore e SHBA (US Southern Command)
Asnjë personel ushtarak amerikan nuk u plagos në operacionin e kryer vonë mbrëmjen e së hënës.
Prej shtatorit, forcat amerikane goditën disa mjete lundruese pasi dyshoheshin se kontrabandonin drogë përmes Karaibeve dhe Paqësorit Lindor.
Megjithatë, frekuenca e goditjeve ra ndjeshëm pasi, në fillim të janarit, forcat amerikane kapën presidentin venezuelian Nicolás Maduro, i cili është akuzuar nga administrata e Donald Trump për bashkëpunim me grupe të trafikut të drogës.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se operacioni në tërësi synon të eliminojë “narco-terroristët nga hemisfera jonë” dhe të mbrojë SHBA-në nga “droga që po vret njerëzit tanë”.
SHBA nuk ka paraqitur prova për të mbështetur pretendimet se mjetet lundruese të goditura transportonin drogë.
Disa ekspertë ligjorë kanë deklaruar gjithashtu se goditjet mund të jenë të paligjshme dhe në shkelje të së drejtës ndërkombëtare, pasi synojnë civilë pa një proces të rregullt ligjor.
Administrata Trump këmbëngul se vrasjet janë të ligjshme. Në një deklaratë drejtuar Kongresit, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Presidenti Trump kishte “përcaktuar” se SHBA ndodhet në një konflikt të armatosur formal me kartelet e drogës dhe se ekuipazhet e mjeteve që transportonin drogë konsiderohen “luftëtarë”. /BBC/
© SYRI.net