Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar sot, 10 shkurt, se do të paraqesë vizionin e Izraelit për negociatat me Iranin kur të takojë Presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.
Para nisjes nga Aeroporti Ben Gurion në Tel Aviv drejt Washingtonit, Netanyahu tha se marrëdhëniet mes Izraelit dhe SHBA-ve janë “jashtëzakonisht të veçanta dhe pa asnjë precedent përgjatë historisë”.
Ai sqaroi se bisedimet me Trump do të përqendrohen kryesisht te negociatat mes Washingtonit dhe Teheranit, duke përfshirë gjithashtu çështje rajonale dhe situatën në Gaza.
“Do t’i prezantoj presidentit vizionin tonë për parimet e negociatave”, tha Netanyahu, duke shtuar se qasja e Izraelit reflekton “parime të rëndësishme jo vetëm për Izraelin, por për të gjithë ata që kërkojnë paqe dhe siguri në Lindjen e Mesme.”
Sipas mediave të huaja, vizita e Netanyahu-t në Washington është urgjente dhe do të zgjasë 3 ditë.
Ky do të jetë takimi i 7-të mes Trump dhe Netanyahu-t që nga fillimi i mandatit të dytë të presidentit amerikan. 5 takime janë zhvilluar në SHBA dhe një në Izrael.
Vizita ishte parashikuar fillimisht për më 18 shkurt, por Netanyahu e përshpejtoi këtë takim, në përpjekje për të ndikuar negociatat mes Washingtonit dhe Teheranit, raportojnë mediat izraelite.
Trump e përshkroi raundin e parë të bisedimeve indirekte SHBA-Iran në Muskat të premten, 6 shkurt, si “shumë të mirë”, duke shtuar se Teherani ka shfaqur qartë dëshirën për një marrëveshje të re dhe që palët do të takohen përsëri javën e ardhshme.
Nga ana tjetër, Irani akuzon administratën amerikane dhe Izraelin për krijimin e alibive për ndërhyrje ushtarake dhe ndryshim regjimi, duke paralajmëruar se do të përgjigjet ndaj çdo sulmi, edhe nëse është i kufizuar.
Teherani insiston gjithashtu që zbutja e sanksioneve perëndimore duhet të shoqërohet me kufizime të programit të tij bërthamor.
Pika kryesore e mosmarrëveshjes mbetet pasurimi i uraniumit: Irani kërkon heqjen e sanksioneve në këmbim të kufizimeve në aktivitetet bërthamore, ndërsa SHBA-të kërkojnë ndalimin total të pasurimit dhe largimin e uraniumit të pasuruar nga vendi. Washingtoni ka tentuar gjithashtu të përfshijë në negociata programin raketor të Iranit dhe mbështetjen për grupe të armatosura në rajon, por Teherani ka deklaruar se nuk do të negociojë për çështje jashtë programit bërthamor.
© SYRI.net