Ukraina ka mbështetur një thirrje për armëpushim në luftën me Rusinë gjatë Lojërave Olimpike Dimërore, pasi Italia dhe Papa Leo u bënë thirrje udhëheqësve botërorë që të përdorin lojërat e Milanos në Kortinë për të çuar më tej paqen.
Ministri i Jashtëm, Andrii Sybiha i tha Reuters se Ukraina e mbështeti propozimin e armëpushimit gjatë Lojërave Olimpike Dimërore nga 6 deri më 22 shkurt dhe një rezolutë përkatëse të Kombeve të Bashkuara, që bënte thirrje për një armëpushim global. Ai tha se i takon Rusisë të sqarojë qëndrimin e saj.
"Ne e mbështesim këtë apel," tha ai në një intervistë në Kiev. "Ne jemi të interesuar për një armëpushim dhe nëse Rusia e refuzon përsëri, ajo do të konfirmojë edhe një herë se kush është pengesë për paqen dhe kush dëshiron ta vazhdojë këtë luftë."
Papa Leo të dielën përmendi atë që ai e quajti traditë të lashtë të armëpushimit olimpik dhe u bëri thirrje njerëzve në pozita pushteti, të ndërmarrin hapa të vërtetë drejt uljes së tensioneve dhe dialogut në emër të paqes.
Ukraina është përfshirë në luftime brutale me Rusinë, gati katër vjet pasi trupat e Moskës kaluan kufirin në një pushtim në shkallë të plotë në shkurt 2022. Forcat ruse pushtojnë pothuajse një të pestën e Ukrainës dhe kanë bombarduar rrjetin elektrik.
Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndërmjetësojnë një zgjidhje dhe kanë zhvilluar raunde bisedimesh midis Ukrainës dhe Rusisë, në një përpjekje për t'i dhënë fund luftës.
"Le të ndalemi dhe kjo patjetër do të hapë një rrugë për negociata më të gjera paqeje", tha Sybiha./ Reuters.
© SYRI.net