Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 20-të e protestës qytetare, kërkohet dorëheqja e Edi Ramës

Bregu Perëndimor përballet me një 'luftë të heshtur'

Bregu Perëndimor përballet me një 'luftë të heshtur'

10:06, 02/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Bregu Perëndimor i pushtuar po përjeton një “luftë të heshtur”, për shkak të rritjes së paprecedentë të dhunës nga ushtria izraelite dhe kolonët e paligjshëm që nga tetori i vitit 2023, deklaroi të dielën kreu i Agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).

“Dhjetëra mijëra njerëz mbeten të zhvendosur, një vit pas nisjes së operacionit izraelit ‘Iron Wall’, zhvendosja më e madhe që nga viti 1967. Shtëpitë e tyre po shkatërrohen gradualisht për t’ua pamundësuar kthimin”, shkroi në rrjetin X, komisioneri i përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini.

Më 21 janar, ushtria izraelite nisi një operacion të gjerë ushtarak në veri të Bregut Perëndimor, duke vrarë dhjetëra persona dhe duke detyruar mijëra palestinezë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Sipas Lazzarinit, që nga tetori i vitit 2023 janë vrarë më shumë se 1 mijë palestinezë në territorin e pushtuar, gati një e katërta prej tyre fëmijë.

“Sulmet nga kolonët izraelitë vazhdojnë pa u ndalur. Komunitetet palestineze po frikësohen vazhdimisht, po dëbohen dhe po u shkatërrohen mjetet e jetesës. Pandëshkueshmëria mbizotëron”, theksoi ai.

Kreu i UNRWA-së nënvizoi se agjencia vazhdon të luajë një rol kyç në ofrimin e ndihmës emergjente në Bregun Perëndimor, “pavarësisht sfidave të mëdha”.

“Ndërsa vëmendja globale është përqendruar te Gaza, shkelja flagrante e së drejtës humanitare ndërkombëtare në Bregun Perëndimor është normalizuar. Kjo duhet të ndalet para se të jetë tepër vonë”, paralajmëroi ai.

Dhuna nga ushtria izraelite dhe kolonët e paligjshëm është përshkallëzuar ndjeshëm në Bregun Perëndimor që nga shpërthimi i luftës në Gaza, në tetor 2023.

Sipas Komisionit për Rezistencën ndaj Kolonizimit dhe Murit, një institucion zyrtar palestinez, vetëm gjatë vitit 2025 kolonët izraelitë kryen rreth 4 mijë e 723 sulme kundër palestinezëve dhe pronës së tyre në Bregun Perëndimor, duke vrarë 14 persona dhe duke detyruar zhvendosjen e 13 komuniteteve beduine, me gjithsej 1 mijë e 90 banorë.

Të dhënat zyrtare tregojnë gjithashtu se që nga tetori 2023 janë vrarë të paktën 1 mijë e 110 palestinezë dhe janë plagosur rreth 11 mijë e 500 të tjerë nga sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve në këtë territor.

Në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin izraelit të territoreve palestineze dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco