Tre vëllezër. të mitur, kanë humbur jetën në Bonham, në veri të Teksasit, pasi ranë në një liqen të ngrirë të hënën e kaluar.
Nëna e djemve, Cheyenne Hangaman, tha se kishte tentuar t’i shpëtonte duke i nxjerrë nga uji dhe duke i vendosur mbi akull, por ai vazhdonte të thyhej.
“Ata ishin tre dhe vetëm unë isha... kjo është arsyeja pse nuk mund t’i shpëtoja,” tha ajo për CBS News.
Ajo e përshkroi secilin prej djemve të saj, të moshës 6, 8 dhe 9 vjeç, si fëmijë të dashur dhe me shumë personalitet, duke bërë thirrje për të gjithë prindërit që të "mbajnë fëmijët e tyre afër dhe t'u thonë gjithmonë se i duan".

Hangaman, nënë e gjashtë fëmijëve, mori vesh për tragjedinë kur vajza e saj vrapoi drejt saj dhe i tha që djemtë kishin rënë në liqen. Fëmijët ishin duke luajtur pranë liqenit, rreth 30 metra larg shtëpisë ku po qëndronte familja. I vogli ra i pari, pasi po përpiqej të luante mbi akullin që mbulonte ujin. Dy djemtë më të mëdhenj ranë pas tij.
"Kur i pashë, ata po luftonin dhe e dija që trupat e tyre kishin hyrë në shok nga ftohtësia. Uji ishte shumë i ftohtë," tha ajo.
Hangaman u përpoq t’i shpëtonte, por nisi të kishte vështirësi dhe u shpëtua nga një fqinj.
“U mundova të luftoja për jetën e fëmijëve të mi, por duke i parë që po luftonin dhe po mbytej dhe unë nuk mund t’i ndihmoja," tha ajo.
Fqinji, një trajner futbolli në shkollën e djemve, dëgjoi thirrjet e saj për ndihmë dhe vrapoi për ta shpëtuar. Ai e tërhoqi atë nga uji me një litar kuajsh.
Në një deklaratë, zyra e sherifit lokal tha se dy djemtë më të mëdhenj u nxorën nga uji nga punonjësit e urgjencës dhe një fqinj dhe u dërguan në spitalin lokal. Gjashtëvjeçari u gjet më vonë pas një kërkimi të gjerë në liqen. Autoritetet nuk e shpallën identitetin e fëmijëve, por familjarët i identifikuan si Howard Doss, 6 vjeç, Kaleb Doss, 8 vjeç dhe EJ Doss, 9 vjeç.
Përshkrimi i djemve nga nëna e tyre: EJ ëndërronte të bëhej një yll i futbollit, Kalebi e donte kërcimin dhe këndimin, ndërsa më i vogli, Howard, i pëlqente të bënte të tjerët të qeshnin.Shkolla e djemve tha se ata ishin "të shkatërruar nga ky humbje e paimagjinueshme" dhe që do të ofronin mbështetje psikologjike për nxënësit dhe stafin.
Vdekja e tyre ndodhi në një periudhë kur një stuhi dimri e fuqishme ka goditur një pjesë të madhe të SHBA-së, përfshirë Teksasin, duke shkaktuar mbi 20 viktima dhe duke lënë mijëra njerëz pa energji elektrike.
© SYRI.net