Donald Trump tha të shtunën se do të vendoste një tarifë 100% për të gjitha importet kanadeze, nëse vendi i Amerikës së Veriut arrin një marrëveshje tregtare me Kinën.
Përveç kërcënimit me tarifa, një tjetër manovër e politikës së jashtme të Trump që u bë lajm të shtunën, përfshinte njoftimin e presidentit se SHBA-të kishin marrë naftën që ndodhej në cisternat venezueliane të sekuestruara së fundmi.
Presidenti amerikan shkroi në mediat sociale se nëse kryeministri kanadez, Mark Carney, “mendon se do ta bëjë Kanadanë një ‘Port Dorëzimi’ për Kinën për të dërguar mallra dhe produkte në Shtetet e Bashkuara, ai gabohet rëndë”.
“Kina do ta hajë Kanadanë të gjallë, do ta përpijë plotësisht, duke përfshirë shkatërrimin e bizneseve të tyre, strukturës shoqërore dhe mënyrës së jetesës në përgjithësi”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social. “Nëse Kanadaja bën një marrëveshje me Kinën, ajo do të goditet menjëherë me një tarifë 100% kundër të gjitha mallrave dhe produkteve kanadeze që hyjnë në [SHBA].”
Trump ka kërkuar vazhdimisht vendosjen e tarifave në një përpjekje për t'i bindur vendet sipas vullnetit të tij - me një farë suksesi, megjithëse ai gjithashtu është tërhequr vazhdimisht nga kërcënimet e tij më ekstreme në lidhje me tarifat.
Ndërkohë, në një intervistë për New York Post të botuar të shtunën, Trump tha se rafineritë amerikane do të përpunojnë naftën, që administrata e tij kishte marrë nga tankerët e sekuestruar venezuelianë.
«Le ta themi kështu - ata nuk kanë naftë», i tha Trump gazetës Post. «Ne e marrim naftën».
Nafta po rafinohet në "vende të ndryshme", përfshirë Hjustonin, tha ai.
Ushtria amerikane ka sekuestruar shtatë cisterna të lidhura me Venezuelën, që nga fillimi i fushatës njëmujore të Trump për të kontrolluar rrjedhën e naftës në Venezuelë. Trump tha të martën se administrata e tij kishte tërhequr 50 milionë fuçi naftë nga Venezuela dhe po shiste një pjesë të saj në tregun e hapur.
Anijet e kapura ose ishin nën sanksione amerikane ose thuhej se ishin pjesë e një “flote në hije” anijesh, që fshehin origjinën e tyre për të transportuar naftë nga prodhuesit kryesorë të sanksionuar - Irani, Rusia ose Venezuela.
Politika e jashtme e Trump në Amerikën Latine është përqendruar te Venezuela, fillimisht duke synuar rrëzimin e presidentit venezuelian, Nicolás Maduro nga pushteti. Pasi dështoi ta arrinte këtë qëllim përmes diplomacisë, Trump urdhëroi forcat amerikane të fluturonin në vend për të kapur Maduron dhe gruan e tij në një bastisje gjatë natës më 3 janar, duke i sjellë ata në Nju Jork për t'u përballur me akuza penale në lidhje me drogën dhe duke i ndaluar atje.
Në intervistën e së shtunës me gazetën Washington Post, Trump u mburr se një armë e re që ai e quajti "diskombobulatori" luajti një rol qendror në atë bastisje.
Këto komente erdhën pasi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ndau në mediat sociale një rrëfim të supozuar të një dëshmitari okular të ushtrisë amerikane duke përdorur një lloj “vale zanore shumë intensive” për të paaftësuar truprojat e Maduros.
Trump ka thënë se SHBA-të planifikojnë të kontrollojnë burimet e naftës së Venezuelës për një kohë të pacaktuar, ndërsa kërkojnë të rindërtojnë industrinë e rrënuar të naftës së vendit në një plan prej 100 miliardë dollarësh që po shkakton shumë reagime negative, jo vetëm nga ambientalistët dhe gjigantët amerikanë të naftës./ Guardian.
© SYRI.net