/Corriere della Sera/
Marrëveshja e paqes ekziston, por paqja jo. Volodymyr Zelensky hezitoi përpara se të konfirmonte udhëtimin në Davos, sepse historia e kësaj lufte e ka vendosur përballë një konflikti dramatik ndërgjegjeje: të pranojë ofertën e Donald Trump, me rrezikun që premtimet e tij të rezultojnë boshe dhe të çojnë në katastrofë, apo të vazhdojë një luftë që po i kushton ndoshta mbi njëqind mijë jetë dhe kushte çnjerëzore për miliona njerëz të popullit të tij?
Që diçka po ndodh, kjo tashmë është e qartë. Dje, në Forumin Ekonomik Botëror, Zelensky qëndroi për një orë në bisedime me Trump. Asnjëri prej tyre nuk doli i zymtë. Nuk pati nënshkrim dokumentesh, por nuk pati as prishje të marrëdhënieve dhe Zelensky u shfaq i hapur:
“Ekipi ynë punon çdo ditë me ekipin e Trump. Nuk është e thjeshtë, por dokumentet janë pothuajse gati për të arritur paqen. Jemi në kilometrin e fundit, gjithmonë shumë i vështirë, por sot ishte një ditë pozitive.”
Po në Davos, të martën, Steve Witkoff dhe Jared Kushner kishin takuar Kirill Dmitriev, negociatorin e Vladimir Putinit. Dje në mëngjes dy emisarët e Trump ishin mes maleve zvicerane, ndërsa në mbrëmje mbërritën në Kremlin për bisedime me Putinin dhe vetë Dmitriev. Witkoff tha se nuk do të qëndronin natën në Moskë, pasi duhej të shkonin në Abu Dhabi, në prag të negociatave të para që nga viti 2022, të cilat do të bashkojnë rusët dhe ukrainasit në të njëjtin pallat: delegacionin e Kievit e udhëheq kreu i administratës presidenciale, Kyrylo Budanov; ndërsa atë rus Dmitriev dhe shefi i shërbimit sekret ushtarak Igor Kostyukov.
Në çantat e negociatorëve ndodhen të paktën katër dokumente të ndryshme që, në teori, duhet të përbëjnë marrëveshjen e paqes. I pari është një tekst “mbi gjithë paketën”, shpjegon për Corriere kryeministri kroat Andrej Plenković. Pastaj vijnë tre pjesët themelore.
Më e rrezikshmja për Zelenskyn parashikon në thelb dorëzimin tek Rusia të një pjese të Donbasit — zonën ende të lirë të Donetskut — që Putin e kërkon.
Kryeministri kroat Plenković shpjegon se megjithatë “është e rëndësishme që de jure territori të mos dorëzohet”, sepse “duhet të lihet hapësirë dhe kohë për të rishikuar atë që është e negociueshme” (pra, një dritare për rikthimin e tij kur Putini të mos jetë më në pushtet).
Ky lëshim, për Zelenskyn, mund të jetë fatal. Opinioni publik ukrainas është kundër. Për më tepër, duke dorëzuar fortifikimet e Donetskut, Ukraina do të ekspozohej ndaj avancimeve të reja ruse në një fushë të gjerë drejt Dnipros dhe prej andej drejt Odesës. Kjo do të ishte fundi i Ukrainës së pavarur, sepse vendi do të humbiste aksesin në Detin e Zi dhe do të kishte nevojë për miratimin e Rusisë për të eksportuar.
Shtetet e Bashkuara ofrojnë dy mundësi për ta bindur Zelenskyn të përballet me këtë rrezik të jashtëzakonshëm.
Një dokument rendit detajet e një plani financimi publik dhe privat prej 800 miliardë dollarësh për rindërtimin e Ukrainës, i udhëhequr nga kreu i mega-fondit BlackRock, Larry Fink. Një dokument i dytë do t’i siguronte Kievit garanci sigurie amerikane, në mbështetje të evropianëve që do të dërgonin trupa në terren. Sipas këtij skenari, Zelensky do të duhej të dorëzonte territor në këmbim të fondeve dhe mbrojtjes perëndimore.
Witkoff deklaroi dje:
“Jam optimist, kemi mbetur vetëm me një çështje të hapur (Donetsku, shën. red.), por kemi diskutuar shumë versione, çka do të thotë se është e zgjidhshme. Zelensky është i gatshëm.”
Megjithatë, marrëveshjet nuk janë mbyllur ende. Presidenti finlandez Alex Stubb bën me dije se ekziston edhe një dokument mbi “sekuencën”: Ukraina do të duhej të dorëzonte Donetskun; ndërsa plani i rindërtimit prej 800 miliardë dollarësh, për momentin, ekziston vetëm në letër – fondet ende nuk janë siguruar. Po ashtu, mbetet e paqartë nëse Putin do të pranonte garanci sigurie që përfshijnë praninë e ushtarëve të NATO-s në Ukrainë.
Dje, ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski iu drejtua Witkoff-it duke thënë:
“Më vjen mirë që paqja duket afër, por Putin nuk është një njeri i paqes. Nevojitet një marrëveshje që të mos mbjellë farat e një lufte tjetër.” /Corriere della Sera/
© SYRI.net