Negociatat mbi të ardhmen e Groenlandës janë përqendruar në rritjen e pranisë së NATO-s, frenimin e kundërshtarëve strategjikë dhe zgjerimin e rolit të SHBA-së në ishull, diskutime të ngjashme me një marrëveshje që tashmë ekziston, shkruan Politico.
Diskutimet, të zhvilluara në Forumin Ekonomik Botëror në Davos mes presidentit amerikan Donald Trump dhe zyrtarëve të NATO-s, e shtynë Trumpin të tërhiqet nga kërcënimet për blerjen ose marrjen me forcë të Groenlandës.
Zyrtarët dhe aleatët vënë në pikëpyetje se çfarë ka ndryshuar. SHBA-të dhe Danimarka tashmë kanë një kornizë për Groenlandën: një traktat i vitit 1951 që lejon disa nga ato që marrëveshja e re ka të ngjarë të përfshijë. Kjo marrëveshje mbrojtëse i lejon Pentagonit të krijojë baza dhe të dërgojë aq trupa sa i nevojiten në ishull pasi Kopenhageni ta miratojë, gjë që e ka bërë pothuajse gjithmonë.
“Traktati u jep një sasi të madhe fleksibiliteti Shteteve të Bashkuara për të identifikuar interesat e sigurisë që i konsideron të nevojshme dhe për të pasur një dritë jeshile për t’i zbatuar ato”, tha Iris Ferguson, e cila shërbeu si zëvendësndihmës sekretare e Pentagonit për Arktikun dhe qëndrueshmërinë globale nën administratën Biden. “Pra, në letër, autoritetet janë aty.”
Ndërsa prania aktuale amerikane është e kufizuar, çdo zgjerim do të kërkonte investime të mëdha infrastrukturore në kushtet e vështira të Arktikut.
Roli i NATO-s mbetet i paqartë. Ambiciet e Trump duket se shtrihen edhe më tej. Nga Forumi Ekonomik i Davos, presidenti i SHBA-ve bëri thirrje për “akses të plotë” në ishullin më të madh të botë pa një datë përfundimi.
Forcat amerikane mund të hyjnë dhe dalin lirisht nga Groenlanda me statusin e vitit 1955, edhe nëse nuk e bën ligjërisht ishullin tokë amerikane. Që nga fundi i viteve 1980, prania amerikane në Bazën Hapësinore Pittufik a qenë shumë e vogël. Rreth 100 trupa janë atje aktualisht, sipas Politico.
“Shumë prej saj është verë e vjetër në një shishe të re”, tha Jim Toënsend, një ish-zëvendësndihmës sekretar i mbrojtjes për NATO-n dhe Evropën. “Në të gjitha bazat tona anembanë botës, ne negociojmë sovranitetin. Nuk është diçka që po e marrim vetëm nga Groenlanda”.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, pritet të takohet me Rutte të premten për të diskutuar mbi atë që ai ka folur me Trump. Por, si gjithmonë, karta e paparashikueshme në këtë proces mbetet presidenti amerikan.
Ashtu siç u tërhoq shpejt nga kërcënimet për të pushtuar Groenlandën këtë javë, ai mund t’u rikthehet po aq lehtë këtyre kërcënimeve. Dhe aleatët po përgatiten për më shumë surpriza.
Aleatët evropianë kanë shprehur shqetësim se qasja agresive e SHBA-së po dëmton unitetin e NATO-s, megjithëse disa udhëheqës kanë mirëpritur uljen e tensioneve. E ardhmja e negociatave mbetet e pasigurt, me partnerët që presin hapa të mëtejshëm dhe të paparashikueshëm nga Uashingtoni.

© SYRI.net