Oficerët e Shërbimit të Agjencisë amerikane për Imigrim dhe Dogana (ICE ndaluan të marten(20 janar) një djalë 5-vjeçar gjatë një operacioni,bënë të ditur zyrtarët e shkollave në Minesota, gjatë operacionit kundër emigracionit në këtë shtet.
Fëmija parashkollor, Liam Ramos, ishte me babain e tij – i identifikuar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) si Adrian Alexander Conejo Arias – kur agjentët iu afruan në hyrje të shtëpisë.
Në një deklaratë të publikuar në X, DHS tha se “ICE nuk ka pasur në shënjestër një fëmijë”, por po kryente një operacion ndaj babait të tij, të cilin e cilësoi “emigrant të paligjshëm” dhe që sipas DHS “e braktisi” djalin kur u afruan agjentët.
Mbikëqyrësja e Distriktit Shkollor Publik të Columbia Heights, Zena Stenvik, ngriti pyetjen: “Pse të ndalohet një fëmijë 5-vjeçar?”
Fotot tregojnë një djalë të vogël me kapele dimërore teksa qëndron jashtë dhe një oficer i mban çantën e shpinës.
Marc Prokosch, avokat që përfaqëson familjen, u tha gazetarëve se Liam dhe babai i tij ka shumë gjasa të mbahen në një qendër ndalimi në Teksas. Zyrtarët e shkollës thanë se babai kishte një çështje aktive azili dhe nuk kishte urdhër dëbimi.
Djali sapo kishte mbërritur në shtëpi nga parashkollori në momentin e ndalimit, tha Stenvik gjatë një konference për shtyp të mërkurën.
Stenvik tha se ICE së fundmi kishte ndaluar gjithsej katër nxënës në distriktin e saj shkollor, përfshirë një 10-vjeçar dhe dy 17-vjeçarë.
DHS nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së BBC-së për koment lidhur me incidentin.
DHS ka deklaruar më herët se po arreston “kriminelët më të këqij ndër emigrantët e paligjshëm”, me synim rikthimin e sigurisë publike në Minesota.
Operacioni i quajti“Metro Surge”, ka shkaktuar reagime të forta nga banorët në Minneapolis, St Paul dhe qytete të tjera në këtë shtet.
Më 7 janar, një oficer federal qëlloi për vdekje një grua të quajtur Renee Good në Minneapolis, duke nxitur protesta mbarëkombëtare dhe dënime nga zyrtarët lokalë dhe shtetërorë./BBC/
© SYRI.net