Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protesta para kryeministrisë, mijëra shqiptarë dhe diaspora në këmbë

Kievi në krizë energjetike: 600 mijë banorë largohen mes acarit dhe ndërprerjeve të energjisë

Kievi në krizë energjetike: 600 mijë banorë largohen mes acarit dhe ndërprerjeve të energjisë

08:47, 22/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, deklaron se brenda vetëm dhjetë ditësh kryeqyteti i Ukrainës ka humbur rreth 600 mijë banorë. Arsyeja kryesore është i ftohti ekstrem dhe kriza e rëndë energjetike pas sulmeve ruse ndaj centraleve elektrike.

Sipas Klitschkos, në shumë apartamente temperatura në ambiente të brendshme ka rënë deri në 4 gradë. Në pallatet pa energji elektrike për periudha të gjata, tubat e ngrohjes janë ngrirë dhe kanë plasur, duke e bërë jetesën pothuajse të pamundur. Në disa banesa nuk mund të përdoren as tualetet, pasi edhe uji në tubacione është ngrirë.

Sulmi rus ndaj centraleve energjetike më 9 janar ka shkaktuar pasoja serioze për miliona civilë. Në një intervistë për “The Times”, Klitschko thotë se aktualisht 5.600 pallate janë pa ngrohje, zona në bregun e majtë të qytetit është pothuajse pa energji, ndërsa ndërprerjet e rrymës janë të shpeshta. Edhe kur energjia rikthehet, ajo bie sërish për shkak të mbingarkesës nga pajisjet që ndizen njëkohësisht.

Kompania energjetike Dtek ka bërë të ditur se infrastruktura kritike është riparuar, por rrjeti elektrik i Kievit funksionon në kushte emergjence. Sasia e energjisë është shumë më e ulët se nevojat e dimrit, i cili konsiderohet më i ftohti i viteve të fundit, me temperatura nga -10 deri në -20 gradë.

Klitschko u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë mundësi të largohen përkohësisht nga kryeqyteti, duke u zhvendosur në zona me ngrohje alternative, si shtëpi në fshat apo banesa me oxhak dhe sobë druri. Sipas tij, ngrohja, uji dhe energjia elektrike janë ende luks për shumë familje.

Ndërkohë, situata ka hapur edhe një përplasje politike mes kryebashkiakut dhe presidentit Volodymyr Zelensky. Presidenti e ka akuzuar Klitschkon për keqmenaxhim të emergjencës dhe ka transferuar një pjesë të kompetencave te strukturat qeveritare. Nga ana tjetër, administrata ushtarake e Kievit mohon largimin masiv të banorëve, duke thënë se kërkesa e lartë për energji tregon se popullsia nuk është ulur ndjeshëm.

Protestat qytetare janë shtuar në disa qytete. Në Khmelnytskyi, qytetarët bllokuan një rrugë pas ndërprerjes së energjisë, ndërsa në Kryvyi Rig, qytetin e lindjes së Zelenskyt, banorët ankohen se kanë mbetur pa rrymë për ditë të tëra. Ata flasin për mungesë barazie në ndërprerjet e energjisë dhe për korrupsion në sektorin energjetik.

Situata mbetet kritike edhe për punonjësit e mirëmbajtjes. Dy elektricistë në Kiev kanë humbur jetën nga lodhja ekstreme, teksa punonin pa pushim për të riparuar rrjetin.

Mes acarit, errësirës dhe protestave, Ukraina po përballet me një nga momentet më të vështira për civilët gjatë katër viteve të luftës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco