Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, sulmoi ashpër të mërkurën guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, duke e quajtur të paaftë në çështjet ekonomike dhe duke e akuzuar se po i jep më shumë rëndësi takimeve elitare ndërkombëtare sesa problemeve gjithnjë e më të rënda financiare, të strehimit dhe të pastrehësisë në shtet.
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Bessent e përdori këtë takim të profilit të lartë për të bërë një kritikë të ashpër ndaj bilancit ekonomik dhe udhëheqjes së Newsom-it.
"Më thanë se i ishte kërkuar të mbante një fjalim për politikat e tij kryesore, por nuk po flet, sepse çfarë kanë sjellë politikat e tij ekonomike? Largim të njerëzve nga Kalifornia, një deficit buxhetor gjigant, popullsinë më të madhe të pastrehë në Amerikë dhe njerëzit e gjorë në Palisades, shtëpitë e të cilëve u dogjën," tha sekretari i Thesarit.
"Ai është këtu duke u shoqëruar me elitën globale, ndërsa qytetarët e Kalifornisë janë ende të pastrehë. Turp të ketë. Është shumë mendjemadh, shumë egocentrik dhe shumë analfabet ekonomikisht për të kuptuar gjë."
Bessent iu përgjigj edhe përshkrimit që Newsom i kishte bërë si "një njeri mendjemadh", duke thënë se guvernatori "më duket si Patrick Bateman që takon Sparkle Beach Ken", duke iu referuar vrasësit serial fiktiv nga "American Psycho" dhe kukullës ekstravagante nga "Barbie".
"Ai mund të jetë i vetmi kalifornian që di më pak për ekonomi se Kamala Harrisi. Ai është këtu këtë javë me sponsorin e tij miliarder, Alex Soros, dhe Davosi është vendi perfekt për një njeri që, kur të gjithë të tjerët ishin në izolim, kur ai arrestonte njerëz se shkonin në kishë, vetë shijonte darka nga 1000 dollarë nata në French Laundry," shtoi ai. "Dhe jam i sigurt që populli i Kalifornisë nuk do ta harrojë këtë."
Funksionari i kabinetit tha gjithashtu se administrata do të ndërmerrte hapa për të adresuar atë që ai e quajti "shpërdorim, mashtrim dhe abuzim" në shtet.
Newsom, i cili ndodhet në Zvicër për samitin e Davosit, u kundërpërgjigj të martën Shtëpisë së Bardhë duke e drejtuar kritikën e tij ndaj Presidentit Donald Trump dhe komenteve të tij për blerjen e Groenlandës.
"Aleatët e Amerikës dhe liderët e biznesit duhet ta kuptojnë këtë: Me Donald Trump-in nuk ka diplomaci. Ngrihuni e tregohuni burra," shkroi ai në X.
Më vonë, ai u tha gazetarëve në margjinat e takimit vjetor se Trump është një "T. rex".
"Ose bashkohesh me të, ose ai të gllabëron. O njëra o tjetra," tha Newsom.
"Është koha të qëndrojmë të fortë e të palëkundur. Të kemi guxim. Nuk e duroj dot këtë bashkëfajësi, njerëzit që dorëzohen," shtoi ai. "Nga këndvështrimi amerikan, është e turpshme." / Fox News - Syri.Net
© SYRI.net