Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 21-të e protestës - 'Rama jepe dorëheqjen deri më 21 qershor'

Spanja në alarm! Pas përplasjes së trenave që la pas mbi 40 viktima, aksidentohen edhe dy të tjerë pranë Barcelonës

Spanja në alarm! Pas përplasjes së trenave që la pas mbi 40 viktima, aksidentohen edhe dy të tjerë pranë Barcelonës

08:43, 21/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Shqetësim dhe tronditje të thellë kanë shkaktuar në Spanjë aksidentet e njëpasnjëshme hekurudhore, të cilat kanë lënë dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur.

Ndërsa vendi po mban zi për të paktën 42 viktima nga tragjedia hekurudhore në Antamuth, e ndodhur të dielën me 18 janar, dy aksidente të tjera kanë tronditur sërish opinionin publik.

Mbrëmjen e vonë të së martës, 20 janar, të paktën një person humbi jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas përplasjes së një treni periferik pranë Barcelonës.

Treni u përplas ballë për ballë me një mur mbajtës që kishte rënë mbi shinat hekurudhore, pranë qytetit Gelida, rreth 35 kilometra larg Barcelonës.

Viktimë nga ky aksident mbeti drejtuesi i trenit, ndërsa shërbimet e emergjencës në Katalonjë njoftuan se 37 persona u plagosën, pesë prej tyre në gjendje të rëndë.

Po të martën u regjistrua edhe një tjetër incident hekurudhor, sërish në Katalonjë. Një tren me 10 pasagjerë doli nga shinat për shkak të pranisë së gurëve mbi binarë, në provincën e Gironës, në veri të Barcelonës. Sipas mediave spanjolle, në këtë rast nuk u raportuan të lënduar.

Këto incidente ndodhën në një kohë kur Spanja vijon të kërkojë shkaqet e tragjedisë në Antamuth. Hetimet po përqendrohen në dy skenarë kryesorë: një problem me infrastrukturën hekurudhore ose një defekt teknik në tren.

Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, deklaroi se ekspertët kanë inspektuar vendin e aksidentit dhe dëmet e shkaktuara. “Pas inspektimeve në terren, është konstatuar se do të jetë e nevojshme të analizohen në laborator shinat në pikën ku nisi rrëshqitja e trenit, si dhe të kontrollohen rrotat e trenit Iryo”, u shpreh ai.

Komisioni i ekspertëve ka kërkuar gjithashtu informacion nga Adif, autoriteti përgjegjës për infrastrukturën hekurudhore në Spanjë, lidhur me regjistrat e qarkullimit në zonën e Antamuth për dy ditët para aksidentit, si dhe do të kryejë kontrolle të rrotave të trenave të tjerë që kanë kaluar më parë nga i njëjti segment hekurudhor, bëri të ditur ministri.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco