Shkencëtarët kanë paraqitur atë që e quajnë “hapin e parë” në përballimin e emetimeve të lidhura me konsumin e mishit, pa shkaktuar rritje të mëdha të çmimeve të ushqimit. Thirrjet për vendosjen e një takse mbi mishin po shtohen, ndërsa po rriten provat se dietat tona me intensitet të lartë karboni po përshpejtojnë ngrohjen e planetit.
Ushqimi dhe bujqësia kontribuojnë rreth një të tretën e emetimeve globale të gazeve serrë, duke u renditur të dytat pas djegies së lëndëve fosile. Një studim i vitit 2023, i publikuar në revistën Nature, zbuloi se emetimet nga mënyra se si njerëzit prodhojnë dhe konsumojnë ushqim mund t’i shtojnë pothuajse 1°C ngrohjes së atmosferës së Tokës deri në vitin 2100.
Mishi, veçanërisht viçi dhe qengji, identifikohet shpesh nga shkencëtarët si një nga shkaktarët kryesorë të dëmit mjedisor. Sipas platformës CO2 Everything, një porcion prej 100 gramësh mish viçi është i barasvlershëm me 78.7 kilometra ngarje me makinë, duke çliruar rreth 15.5 kg CO2 ekuivalent.
Megjithatë, Bashkimi Evropian ende nuk ka paraqitur një plan konkret për vendosjen e një takse mbi mishin ose për inkurajimin e vendeve anëtare që të kalojnë drejt një diete kryesisht me bazë bimore – një hap që mund të ulte emetimet bujqësore me rreth 15 për qind.
Si do të dukej një taksë mbi mishin?
Një studim i ri nga Instituti Potsdam për Kërkime Klimatike (PIK) analizon gjurmën ekologjike të dietave dhe politikat që mund ta zvogëlojnë atë.
“Nga këndvështrimi ekonomik, kostot mjedisore të shkaktuara gjatë prodhimit duhet të përfshihen në çmim,” thotë Charlotte Plinke, studiuese në PIK dhe autore e studimit. “Kjo do të thotë që sa më shumë CO2 të emetohet, aq më i shtrenjtë bëhet produkti.”
Megjithatë, Plinke thekson se zbatimi i një sistemi të tillë për “larminë e madhe” të ushqimeve që konsumojnë evropianët do të ishte shumë kompleks dhe i papërshtatshëm në afat të shkurtër.
Si rrjedhojë, studiuesit sugjerojnë se opsioni më i thjeshtë është ndryshimi i TVSH-së për produktet e mishit. Ushqimet e blera në supermarkete shpesh tatohen me një normë më të ulët sesa ushqimi në restorante dhe kafene. Për shembull, në Gjermani, ushqimet nga dyqanet kanë TVSH 7 për qind në vend të 19 për qind. Në vitin 2023, 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së aplikonin gjithashtu një normë të reduktuar takse për blerjet e mishit.
Studiuesit zbuluan se aplikimi i normës standarde të TVSH-së për mishin mund të ulte dëmin mjedisor nga konsumi i ushqimit me 3.48 deri në 5.7 për qind, në varësi të kategorisë së dëmit. Kjo pritet të ndodhë për shkak të uljes së shitjeve, duke i shtyrë konsumatorët drejt frutave dhe perimeve.
Një studim i vitit 2025 nga University College London zbuloi se aplikimi i TVSH-së së plotë për mishin dhe produktet e qumështit do të ulte konsumin e tyre me rreth një porcion në javë në vendet e BE-së. Në Mbretërinë e Bashkuar, kjo ulje do të dyfishohej në dy porcione në javë për secilin grup ushqimor.
Sa do t’u kushtonte familjeve një taksë mbi mishin?
Heqja e normës së reduktuar të TVSH-së për mishin do të rriste shpenzimet mesatare vjetore për ushqim të familjeve në BE me rreth 109 euro. Megjithatë, studiuesit thonë se kjo do të kompensohej nga të ardhurat shtesë nga taksat, rreth 83 euro për familje, të cilat teorikisht mund të përdoren për kompensim social përmes pagesave për frymë.
Në këtë mënyrë, kostoja neto vjetore për familje do të ishte vetëm 26 euro.
Studiuesit analizuan gjithashtu një skenar ku shteti vendos një diferencë çmimi bazuar në nivelin e emetimeve të gazeve serrë për çdo produkt. Ata parashikuan se një shtesë çmimi prej rreth 52 euro për ton CO2 ekuivalent do të shmangte të njëjtën sasi emisionesh nga ushqimi si heqja e normës së ulur të TVSH-së për mishin.
“Një sinjal i tillë gjithëpërfshirës çmimi do të ulte edhe ndikime të tjera mjedisore, përtej gazeve serrë, madje pak më shumë sesa TVSH-ja selektive për mishin,” thotë Michael Sureth, autor i studimit.
Me kalimin e kohës, kjo diferencë çmimi mund të rritet për të marrë parasysh edhe ndikimet mbi klimën dhe biodiversitetin, duke siguruar kapital për të adresuar këto probleme. Sipas Sureth, një kompensim i fortë social mund t’i ulë kostot neto, duke bërë që familjet mesatare në BE të jenë vetëm rreth 12 euro më keq në vit.
© SYRI.net