Liderja e konservatorëve britanikë, Kemi Badenoch doli në krah të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili reagoi ashpër ndaj lajmit se Britania ka dorëzuar sovranitetin e ishujve Chagos. Trump tha se ky është një budallëk i madh. Kurse Badenoch e quajti akt vetë-sabotimi . sipas BBC, ky është një moment poshtërimi për kryeministrin britanik, Keir Starmer
Nga Henry Zeffman, BBC
Nuk ka si të shmanget fakti që kjo situatë është jashtëzakonisht e turpshme, madje poshtëruese, për Sir Keir Starmer, duke pasur parasysh se më pak se 24 orë më parë ai mbajti një fjalim të madh në ‘Downing Street’ ku mbrojti marrëdhënien e tij të qetë me presidentin e SHBA-së dhe ndikimin që, sipas tij, kjo i jep Mbretërisë së Bashkuar.
Ku është ajo qetësi këtë mëngjes? Çfarë ndikimi po ushtron realisht Mbretëria e Bashkuar?
Në qeveri sot në mëngjes do të ketë jo vetëm turp, por edhe hutim, pasi administrata Trump e kishte mbështetur mjaft fuqishëm marrëveshjen me Mauritius-in në maj të vitit 2025.
Kjo nuk është më thjesht një krizë diplomatike mbi Groenlandën, të cilën Starmer po përpiqet ta zbusë dhe ta minimizojë, por tashmë edhe një krizë specifike e marrëdhënies “speciale”.
Kryeministri do të përballet më shumë se kurrë me pyetje rreth qasjes që ka ndjekur për ta menaxhuar presidentin Trump gjatë vitit të kaluar.
Priten pyetje edhe mbi faktin nëse Mbreti dhe Princi i Uellsit duhet të vazhdojnë vizitat e tyre në SHBA për të shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së saj këtë vit (dhe mos harroni se Mbreti është gjithashtu Mbret i Kanadasë, të cilën Trump, në orët e fundit, ka kërcënuar sërish ta aneksojë përmes rrjeteve sociale).
Nuk është e qartë nëse ndonjë lider botëror ka gjetur vërtet një mënyrë të besueshme për ta trajtuar presidentin Trump. Megjithatë, përpjekjet e Starmer për ta bërë këtë i kishin sjellë vlerësime nga i gjithë spektri politik. Politika e jashtme ishte parë si një nga pikat më pozitive të kohës së tij në ‘Downing Street’. Ky vlerësim mund të duhet të rishikohet.
Çfarë rrëmuje.
© SYRI.net