'Alarm i kuq në Sicili, Sardenjë dhe Kalabri' – Cikloni mesdhetar 'Harry' shkakton emergjencë në Italinë jugore

'Alarm i kuq në Sicili, Sardenjë dhe Kalabri' – Cikloni mesdhetar 'Harry' shkakton emergjencë në Italinë jugore

08:01, 20/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Fenomeni atmosferik po lëviz ngadalë nga brigjet algjeriane drejt Kanalit të Sardenjës dhe Kanalit të Sicilisë, për t’u zhvendosur më pas drejt Detit Jon.

Italia jugore po përballet me një situatë moti ekstrem, e shkaktuar nga cikloni mesdhetar “Harry”, ndërsa rreth 150 kryetarë bashkish në Sicili kanë firmosur urdhra për mbylljen e shkollave, evakuohet një qytezë e tërë në Sirakuzë dhe afërsisht 200 komuna kanë aktivizuar Qendrat Operative Komunale për përballimin e emergjencës. Autoritetet paralajmërojnë rreziqe serioze për sigurinë publike dhe u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal.

Fenomeni atmosferik po lëviz ngadalë nga brigjet algjeriane drejt Kanalit të Sardenjës dhe Kanalit të Sicilisë, për t’u zhvendosur më pas drejt Detit Jon, ku pritet të dobësohet vetëm pas ditës së enjte, 22 janar. Deri atëherë, parashikohen reshje shumë të dendura shiu, në disa zona deri në 200–400 milimetra, me rrezik të lartë për përmbytje, rrëshqitje dhe daljen nga shtrati të lumenjve.

Situata po rëndohet edhe nga erërat e forta të stuhisë, me shpejtësi deri në 120–130 kilometra në orë, si dhe nga deti shumë i trazuar, me dallgë që arrijnë 6–7 metra, duke shkaktuar stuhi të dhunshme detare dhe dëme përgjatë vijës bregdetare.

Mbrojtja Civile ka konfirmuar alarm të kuq dhe portokalli për zona të gjera të Sicilisë, Kalabrisë dhe Sardenjës. Në fshatin bregdetar Marzamemi, në provincën e Sirakuzës, është urdhëruar evakuim parandalues i banorëve për shkak të rrezikut që dallgët e forta të arrijnë banesat. Personeli i Mbrojtjes Civile ka njoftuar qytetarët edhe përmes megafonëve, ndërsa bashkia ka vënë në dispozicion struktura pritjeje për familjet e evakuuara.

Në terren janë angazhuar mbi 6.000 persona, përfshirë stafin e Departamentit të Mbrojtjes Civile, vullnetarë, zjarrfikës, shërbime komunale, roje pyjore dhe struktura të tjera operative rajonale e shtetërore. Autoritetet përsërisin thirrjen për respektim të plotë të urdhrave lokalë, shmangien e lëvizjeve të panevojshme dhe qëndrimin larg zonave me rrezik hidraulik dhe bregdetar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco