Gjermania i kërkoi të dielën SHBA-së të respektojë sovranitetin territorial të Groenlandës mes kërcënimeve të përsëritura amerikane për ta pushtuar ishullin me forcë.
“Varet vetëm nga Danimarka dhe Groenlanda të vendosin për të ardhmen e Groenlandës”, citoi transmetuesi publik ARD zëvendëskancelarin Lars Klingbeil të thoshte përpara se të nisej nga Berlini për në Uashington, duke iu referuar statusit të ishullit si një territor gjysmëautonom i Danimarkës.
Parimet e së drejtës ndërkombëtare, siç është respekti për sovranitetin dhe integritetin territorial, vlejnë për të gjithë - "përfshirë Shtetet e Bashkuara. Ne po e rrisim sigurinë në Arktik së bashku si aleatë të NATO-s, jo në kundërshtim me njëri-tjetrin", shtoi Klingbeil, i cili shërben gjithashtu si ministër i financave i Gjermanisë.
SHBA-të kanë ftuar ministrat e financave të disa vendeve në Uashington për të diskutuar aksesin në lëndë të para kritike. Klingbeil kishte njoftuar tashmë se ambiciet e SHBA-së në Groenlandë do të diskutoheshin gjithashtu në margjinat e bisedimeve.
Që nga mandati i tij i parë në vitet 2017-2021, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar vazhdimisht se do ta marrë Groenlandën me çdo mjet të nevojshëm, duke mos përjashtuar edhe opsionin ushtarak. Ai thekson rëndësinë e madhe strategjike të ishullit dhe praninë e madhe të anijeve ruse dhe kineze në rajon kohët e fundit.
Deklaratat e Trump janë veçanërisht shqetësuese për aleatët evropianë, sepse ai refuzon të përjashtojë shtrëngimin ushtarak dhe ekonomik për të fituar kontrollin e Grenlandës, një opsion që disa kanë frikë se mund t’i japë fund aleancës së NATO-s./ AA.
© SYRI.net