Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se planifikon të takohet me zyrtarë danezë javën e ardhshme për të diskutuar për Grenlandën, ndërsa një krizë po përshkallëzohet brenda NATO-s për shkak të kërcënimeve të presidentit Donald Trump për të marrë territorin e Arktikut.
Një takim urgjent ishte kërkuar nga ministrat e jashtëm të Grenlandës dhe Danimarkës, e cila ka thënë se çdo pushtim ose marrje e territorit nga aleati i saj në NATO do të shënonte fundin e aleancës ushtarake perëndimore dhe “sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore”.
Duke folur me gazetarët në Washington, Rubio nuk iu përgjigj drejtpërdrejt një pyetjeje nëse administrata Trump ishte e gatshme të rrezikonte aleancën duke ecur potencialisht përpara me një opsion ushtarak për të fituar kontrollin e Grenlandës.
“Nuk jam këtu për të folur për Danimarkën apo ndërhyrjen ushtarake, do të takohem me ta javën e ardhshme. Do t’i zhvillojmë ato biseda me ta atëherë, por nuk kam asgjë tjetër për të shtuar për këtë”, tha ai.Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trumpi preferon diplomacinë, por se nuk përjashton veprimin ushtarak.
“Kjo është diçka që po diskutohet në mënyrë aktive nga presidenti dhe ekipi i sigurisë kombëtare”, ka thënë zëdhënësja Karoline Leavitt.
© SYRI.net