I dërguari i ri i Trump: Do shërbej për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së

I dërguari i ri i Trump: Do shërbej për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së

18:02, 22/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shkaktuar një debat të ri me Danimarkën pas emërimit të një të dërguari të posaçëm në Groenlandë, ishullin e madh arktik që ai ka thënë se do të donte ta aneksonte.

Sipas mediave të huaja, Trump njoftoi të dielën se Jeff Landry, guvernatori republikan i Luizianës, do të bëhet i dërguari special i SHBA-së në Groenlandë, një pjesë gjysmë-autonome e Mbretërisë së Danimarkës.

Guvernatori Landry tha në një postim në rrjetin social ‘X’ se ishte një nder të shërbente në një ‘pozicion vullnetar për ta bërë Groenlandën pjesë të SHBA-së’.

Ky veprim ka zemëruar Kopenhagenin, i cili tha se do të thërrasë ambasadorin e SHBA-së për ‘një shpjegim’. Kryeministri i Groenlandës tha se ishulli duhet të ‘vendosë vetë për të ardhmen e tij’ dhe se ‘integriteti i tij territorial duhet të respektohet’.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ringjallur interesin e tij të hershëm për Groenlandën, duke përmendur vendndodhjen e saj strategjike dhe pasurinë minerale.

Ai ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës për të siguruar kontrollin e ishullit, një qëndrim që ka tronditur Danimarkën, një aleate të NATO-s që tradicionalisht ka gëzuar marrëdhënie të ngushta me Uashingtonin.

Groenlanda, shtëpia e rreth 57,000 banorëve, ka pasur vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, megjithëse mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten në duart e danezëve. Ndërsa shumica e banorëve të Groenlandës mbështesin pavarësinë përfundimtare nga Danimarka, sondazhet e opinionit publik tregojnë kundërshtim dërrmues ndaj bashkimit me SHBA-në. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco