Kryeministri britanik Keir Starmer diskutoi të dielën me Presidentin Donald Trump përpjekjet për të arritur një "fund të drejtë dhe të qëndrueshëm" të luftës në Ukrainë, tha zyra e Starmer në Downing Street në një deklaratë, pas bisedimeve midis zyrtarëve në Florida.
“Të dy udhëheqësit filluan duke reflektuar mbi luftën në Ukrainë”, tha zyra e Starmer në një njoftim mbi bisedën telefonike, duke shtuar se ata kishin diskutuar punën e të ashtuquajturve vende të “Koalicionit të Gatshëm”, që janë zotuar të mbështesin Ukrainën.
"Kryeministri informoi mbi punën e Koalicionit të të Gatshmëve për të mbështetur çdo marrëveshje paqeje, dhe për të siguruar një fund të drejtë dhe të qëndrueshëm të armiqësive."
Negociatorët amerikanë u takuan me zyrtarë rusë në Florida të shtunën për bisedimet e fundit që synojnë t'i japin fund konfliktit, ndërsa administrata e Trump përpiqet të arrijë një marrëveshje nga të dyja palët.
Takimi në Miami pasoi bisedimet e SHBA-së të premten me zyrtarë ukrainas dhe evropianë, diskutimet e fundit mbi një plan paqeje që kanë ngjallur shpresë për një zgjidhje të konfliktit, që filloi kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Në njoftimin e Downing Street thuhej gjithashtu se Starmer dhe Trump diskutuan emërimin e Christian Turner si ambasador në Shtetet e Bashkuara, pasi paraardhësi i tij Peter Mandelson u shkarkua kur dolën në dritë email-et mbështetëse, që ai i dërgoi shkelësit të dënuar seksual Jeffrey Epstein./ Reuters.
© SYRI.net