Jeffrey Epstein mbante fotografi të Bill Gates-it duke pozuar pranë grave, sipas imazheve të publikuara së fundmi.
Demokratët publikuan 68 fotografi të reja nga prona e Epstein-it, ku shfaqet Gates si edhe figura të tjera të njohura të lidhura me pedofilin, përfshirë Woody Allen, Noam Chomsky dhe Steve Bannon.
Themeluesi i Microsoft-it shihet në një foto krah për krah me një grua me flokë të errët dhe fustan blu të errët. Në një tjetër foto, ai qëndron pranë një gruaje me këmishë të bardhë në një korridor. Në të dyja rastet, fytyrat e grave janë të mbuluara.
Këto pamje janë pjesë e një serie publikimesh nga demokratët në komitetin e mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, të cilët në nëntor publikuan mbi 20 mijë faqe dokumentesh nga prona e Epstein-it.
Gates ishte fotografuar më herët edhe me një grua që e akuzoi Epstein-in për abuzim, sipas The Wall Street Journal. Fotoja thuhet se është bërë në zyrën e Gates-it në Seattle në vitin 2014, gati 10 vjet pasi Epstein ishte arrestuar për kërkim të shërbimeve seksuale nga një e mitur.
Gruaja, një modele polake në të 20-at e saj në atë kohë, i tha gazetës se situata "nuk dukej normale".

Një zëdhënës i Gates-it tha se miliarderi nuk e njihte dhe nuk kishte pasur kontakt me gruan që Epstein kishte sjellë në Seattle. Gates ka deklaruar se i vjen shumë keq që u takua me Epstein-in, duke e quajtur këtë një "gabim të madh gjykimi".
Ish-bashkëshortja e tij, Melinda Gates, tha se lidhja e 70-vjeçarit me pedofilin "e neveritshëm" ndikoi në prishjen e martesës së tyre pas 27 vitesh.
Melinda Gates, e cila njoftoi divorcin në vitin 2021, i tha më herët CBS-it: "Nuk më pëlqeu aspak që ai takohej me Jeffrey Epstein-in. Ia bëra të qartë këtë."
Duke folur për takimin e saj të vetëm me Epstein-in, ajo tha: "U pendova që në momentin që hyra brenda. Ai ishte i neveritshëm. Ishte e keqja e mishëruar. Më dhemb zemra për këto gra."

Epstein mbante gjithashtu fotografi të një gruaje, mbi trupin e së cilës ishin shkruar rreshtat e parë të romanit Lolita. Pamjet tregojnë pjesë të ndryshme të trupit të një gruaje me citime nga romani i Vladimir Nabokovit.
Një prej citimeve shkruhej në kraharor, të tjera në ijë, qafë, shpinë dhe këmbë. Romani Lolita flet për manipulimin dhe abuzimin e një vajze të mitur.


Avioni privat i Epstein-it, me të cilin ai transportonte vajza të mitura në ishullin e tij privat Little St. James, quhej "Lolita Express". Emri, sipas banorëve lokalë, lidhej me ardhjet e shpeshta të vajzave të reja.
Një foto tjetër tregon Epstein-in të rrethuar nga tri gra. Në një tjetër pamje, Noam Chomsky shihet duke biseduar me Epstein-in në një avion privat, ndërsa Steve Bannon shfaqet ulur përballë tij në një tavolinë ku ndodhet fotografia e një gruaje pa ndjenja.
Në mesazhe të publikuara nga demokratët, dy persona flasin për gjetjen e vajzave dhe pagesa prej 1000 dollarësh. Njëra përshkruhet si 18 vjeçe dhe thuhet se do të niset nga Rusia.

Epstein thuhet se ka shkruar edhe një letër dashurie nga burgu, drejtuar "dashurisë së jetës sime", në vitin 2008, kur po vuante një dënim 18-mujor për kërkim të shërbimeve seksuale nga një e mitur.
Disa imazhe tregojnë plane ndërtimi për ishullin Little St. James. Në një foto, Epstein shihet duke shtrënguar duart me një oficer policie, gjë që ka nxitur teori se ai ishte i mbrojtur nga persona të fuqishëm.

Ka edhe foto harqesh dhe shigjetash ushtarake në dysheme, si dhe një kuti me tableta që përdoren për infeksione urinare.
Publikimi vjen para nxjerrjes së shumëpritur të të ashtuquajturës "dosjes Epstein". Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së pritet t'i publikojë ato deri të premten.
Republikanët janë udhëzuar të sulmojnë demokratët lidhur me këto dosje, ndërsa Shtëpia e Bardhë përgatitet për detaje me gjasa të sikletshme.
Shefja e kabinetit të Donald Trump-it, Susie Wiles, tha se Trump përmendet në dokumente, por "nuk ka prova që ai ka bërë diçka të keqe".
Trump ka deklaruar se e ndërpreu miqësinë me Epstein-in vite para se ky i fundit të shpallej fajtor në vitin 2008.

Ndërkohë, u bë e ditur se Bill Clinton, Epstein dhe Ghislaine Maxwell morën pjesë bashkë në dasmën e mbretit të Marokut në vitin 2002. Sipas burimeve, stafi i Clinton-it ishte i habitur nga kjo ftesë.
Clinton ka pranuar se ka udhëtuar me avionin privat të Epstein-it, por ka shkruar se kishte ndërprerë kontaktet me të para arrestimit të parë të Epstein-it në vitin 2005. / The Telegraph – Syri.net
© SYRI.net