Në shkollat britanike do të futen orë mësimi për të luftuar mizogjininë (urrejtja, përçmimi ose paragjykimi ndaj grave dhe vajzave, vetëm për faktin se janë gra). Projekti që qeveria laburiste britanike prezanton sot, synon luftën kundër dhunën ndaj grave dhe vajzave dhe është i orientuar drejt djemve nga mosha 11-vjeçare.
Sipas planit, i cili do të kushtojë rreth 23 milionë euro, nxënësit që shfaqin sjellje të rrezikshme do të drejtohen drejt “programeve të reformimit të sjelljes”, me synimin për të vënë në diskutim “ndikimet e rrënjosura mizogjene”.
Këto programe do të përqendrohen në përdorimin e imazheve abuzuese, sjelljet detyruese, ndjekjen (stalking), ngacmimet online, si dhe në dallimin mes pornografisë dhe marrëdhënieve reale. Mësimet do të udhëhiqen nga mësues të trajnuar për të identifikuar shenjat e para të mizogjinisë dhe për t’i trajtuar ato në klasë, ose nga ekspertë të jashtëm, dhe do të integrohen me kurrikulën e zakonshme shkollore.
Fillimisht programi do të zbatohet në shkollat e mesme dhe të larta, por në një fazë të dytë mund të shtrihet edhe në ciklin fillor. Nxënësve do t’u shpjegohen tema si pëlqimi (consent), rreziqet e shpërndarjes së imazheve intime, identifikimi i modeleve pozitive dhe çmontimi i miteve të dëmshme mbi gratë dhe marrëdhëniet me to. Do të krijohet gjithashtu një linjë telefonike ndihme për adoleshentet që shqetësohen për abuzime në marrëdhëniet e tyre sentimentale dhe seksuale.
Ministrja përgjegjëse për mbrojtjen e grave në qeveri, Jess Philips - e njohur për fushatat e saj feministe që i kanë kushtuar vite kërcënimesh me vdekje dhe përdhunim - deklaroi se synimi i saj është “të vërë në veprim të gjithë fuqinë e shtetit për të ndalur dhunën e ushtruar ndaj grave dhe vajzave”. Ajo e cilësoi dhunën me bazë gjinore si “emergjencë kombëtare” dhe theksoi se objektivi i qeverisë është “ndryshimi i kulturës”.
Kryeministri Keir Starmer shtoi se “çdo prind duhet të ketë besimin se vajzat e tyre janë të sigurta në shkollë, online dhe në marrëdhëniet e tyre. Por shumë shpesh idetë toksike zënë rrënjë herët dhe nuk vihen në diskutim: kjo qeveri po vepron në kohë për të denoncuar mizogjininë dhe për të ndërhyrë kur shfaqen shenja të rrezikshme, në mënyrë që dëmet të ndalen para se të fillojnë”.
Shqetësimet janë reale: më shumë se një e treta e adoleshenteve që janë në një marrëdhënie raportojnë abuzime, ndërsa 40% e djemve adoleshentë kanë një opinion pozitiv për influencerë mizogjinë si Andrew Tate. Një shtysë për veprim erdhi edhe nga jehona e serialit televiziv Adolescence, megjithëse disa pyesin pse qeveria priti kaq gjatë dhe e shtyu këtë projekt plot tri herë./ Corriere della Sera
© SYRI.net