Qeveria e Danimarkës ka akuzuar Rusinë për dy sulme kibernetike “shkatërruese dhe ndërhyrëse”, duke i cilësuar ato si dëshmi të një lufte hibride.
Shërbimi Danez i Inteligjencës së Mbrojtjes (DDIS) njoftoi se Moska qëndron pas një sulmi ndaj një shërbimi uji në vitin 2024 dhe një serie sulmesh DDoS ndaj faqeve daneze përpara zgjedhjeve komunale dhe rajonale në nëntor. Sulmin e parë e kreu grupi pro-rus Z-Pentest, ndërsa të dytin NoName057(16), që ka lidhje me shtetin rus.
“Qëllimi i këtyre sulmeve është të krijohet pasiguri dhe të dëmtohet mbështetja për Ukrainën,” tha DDIS, duke shtuar se zgjedhjet daneze u përdorën si platformë për të tërhequr vëmendjen publike.
Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, e konsideroi incidentin “plotësisht të papranueshëm” dhe njoftoi se ambasadori rus do të thirret për sqarime. Në një sulm ndaj shërbimit të ujit në qytetin Køge, hakerët ndryshuan presionin e pompave, duke shkaktuar tre shpime tubash.
Ministri për Reziliencën, Torsten Schack Pedersen, paralajmëroi se sulmet tregojnë se “ekzistojnë forca që mund të mbyllin pjesë të rëndësishme të shoqërisë” dhe se Danimarka nuk është ende e përgatitur për të përballuar këto rreziqe.
Në shtator, autoritetet daneze raportuan gjithashtu hyrje me dronë në aeroporte dhe zona ushtarake, duke e cilësuar si pjesë të një sulmi hibrid, një situatë që ka nxitur planet për krijimin e një “muri dronësh” europian.
© SYRI.net