Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

Fermerët europianë në revoltë: Franca ‘vlon’, rrugë të bllokuara me barrikada plehu! Janë mijëra: S'tërhiqemi

Fermerët europianë në revoltë: Franca ‘vlon’, rrugë të bllokuara me barrikada plehu! Janë mijëra: S'tërhiqemi

11:39, 17/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Protestat e fermerëve po marrin përmasa të paprecedenta në disa vende të Evropës, me Francën në epiqendër të zemërimit. Pamjet e ditëve të fundit janë tronditëse: ndërtesa qeveritare dhe makina policie të spërkatura me pleh organik, rrugë të bllokuara me barrikada plehu, si dhe mijëra fermerë të vendosur për të mos u tërhequr.

Shkak i drejtpërdrejtë i protestave në Francë është politika e qeverisë për therjen masive të bagëtive të prekura nga sëmundja e lëkurës me nyja (Lumpy Skin Disease – LSD). Edhe pse kjo sëmundje rrallëherë është fatale, ajo ul ndjeshëm prodhimin e qumështit dhe ndalon tregtimin e kafshëve të infektuara. Autoritetet kanë zgjedhur një qasje ekstreme: therjen e të gjithë kopeve ku konstatohet qoftë edhe një rast i vetëm.

Kjo politikë ka hasur kundërshtim të fortë nga dy prej tre sindikatave kryesore të fermerëve, të cilat e cilësojnë atë si të padrejtë dhe ekonomikisht shkatërruese, duke kërkuar vaksinim dhe therje selektive. Nga ana tjetër, veterinerët paralajmërojnë se kafshët pa simptoma janë të vështira për t’u identifikuar, çka rrit rrezikun e përhapjes së sëmundjes.

Image

Por kriza nuk ndalet këtu. Bujqësia franceze është nën presion të shumëfishtë: rënia e konsumit të verës, gripi i shpendëve, rritja e kostove dhe rregullat gjithnjë e më të ashpra të Bashkimit Evropian. Qeveria franceze druhet se protestat aktuale mund të shndërrohen në një lëvizje të gjerë të zonave rurale, të cilat ndihen të braktisura dhe të pambrojtura nga politikat evropiane.

Një tjetër burim i madh pakënaqësie është marrëveshja e tregtisë së lirë BE–Mercosur, e cila pritet të hapë tregun evropian ndaj importeve më të lira bujqësore nga Amerika e Jugut. Fermerët evropianë frikësohen se kjo do të godasë rëndë prodhimin vendas, për shkak të standardeve më të ulëta mjedisore dhe shëndetësore në vendet eksportuese.

Në këtë klimë tensioni, për të enjten është planifikuar një protestë masive në Bruksel, gjatë samitit të BE-së, ku pritet të marrin pjesë rreth 10 mijë fermerë. Franca, së bashku me disa shtete të tjera, ka paralajmëruar se mund ta bllokojë marrëveshjen Mercosur nëse nuk garantohet mbrojtja e fermerëve evropianë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco