Në Sydney është mbajtur funerali i parë për viktimat e të shtënave në Bondi Beach, ku mijëra persona u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën rabinit Eli Schlanger.
Ai ishte mes 15 personave që humbën jetën pasi dy persona të armatosur hapën zjarr gjatë një festivali që shënonte ditën e parë të Hanukkah-ut. Kryeministri i Australisë deklaroi se sulmuesit dyshohet se ishin frymëzuar nga grupi Shteti Islamik (ISIS).
Rabini Schlanger, i njohur si “Rabini i Bondit” dhe një nga organizatorët e aktivitetit të së dielës, kishte lindur në Mbretërinë e Bashkuar. Gruaja e tij kishte sjellë në jetë fëmijën e tyre të pestë vetëm dy muaj më parë.
Rabini Levi Wolff, i cili hapi ceremoninë mortore, e cilësoi vdekjen e tij si një “humbje të papërshkrueshme” për komunitetin, për Chabad-in e Bondit dhe për “mbarë kombin hebre”.
“Eli na u rrëmbye duke bërë atë që donte më shumë,” tha ai.
“Duke përhapur dashuri e gëzim dhe duke u shërbyer njerëzve të tij me një vetëmohim të pafund, si në jetë ashtu edhe në vdekje, ai u lartësua si një nga shpirtrat më të lartë dhe më të shenjtë.”
Ai u përkujtua gjithashtu nga vjehrri i tij si një njeri jashtëzakonisht i dashur për komunitetin. Rabini Yehoram Ulman e përshkroi 41-vjeçarin si “djali im, miku im dhe njeriu im më i besuar”, duke folur para kongregacionit në Chabad të Bondit.
“Pengu im më i madh është se, përtej asaj që ishte e dukshme, nuk i thashë Elit më shpesh sa shumë e donim, sa shumë e doja unë, sa shumë e vlerësonim gjithçka që bënte dhe sa krenarë ishim për të,” tha rabini Ulman.
“Shpresoj ta ketë ndier këtë, por mendoj se duhej t’ia thonim më shpesh.”
Ulman u bëri thirrje gjithashtu hebrenjve të mos fshihen pas sulmit dhe tha se të dielën në mbrëmje, natën e fundit të Hanukkah-ut, do të vazhdojnë një traditë 31-vjeçare duke ndezur qiriun e fundit në plazhin Bondi.
“Të gjithë rabinët, nën flamurin e shtëpisë sonë Chabad të Bondit, së cilës Eli ia kushtoi jetën e tij, do të mblidhemi në plazhin Bondi,” tha ai.
Funerali i rabinit Yaakov Levitan pritet të zhvillohet të mërkurën pasdite, ndërsa funerali i Matildës 10-vjeçare – viktima më e re e sulmit – do të mbahet të enjten.
Duke folur për gazetarët në Bondi të mërkurën, babai i Matildës falënderoi shpëtimtarët, kalimtarët dhe oficerët e policisë që u përpoqën të shpëtonin jetën e vajzës së tij, si edhe një grua që ndihmoi vajzën e tyre më të vogël, Summer.
“Falënderimet e mia më të mëdha shkojnë për zonjën që shpëtoi Summer-in,” tha ai. “Nuk e di kush ishte, por e mbajti të përqafuar gjatë gjithë dhjetë minutave të të shtënave.”
Mes pjesëmarrësve në funeralin e Schlanger ishin udhëheqësja e opozitës Sussan Ley, kryeministri i Uellsit të Ri Jugor Chris Minns, ish-kryeministri Scott Morrison dhe ambasadori izraelit Amir Maimon.
Kryeministri Anthony Albanese nuk ishte i pranishëm. I pyetur në ABC NewsRadio për mungesën e tij, ai tha se do të merrte pjesë në çdo aktivitet ku do të ftohej, duke shtuar se “këto funerale po mbahen për t’u dhënë lamtumirën njerëzve të dashur”.
Komuniteti hebraik e ka kritikuar Albanese-n për mungesë veprimi të mjaftueshëm kundër antisemitizmit. Kryeministri i hodhi poshtë këto akuza, duke theksuar se qeveria ka ndërmarrë disa masa, përfshirë emërimin e të dërguarit të parë kundër antisemitizmit, ashpërsimin e ligjeve për gjuhën e urrejtjes dhe rritjen e fondeve për projektet e kohezionit social dhe institucionet hebraike.
Ai tha gjithashtu se një nga dy personat e dyshuar për sulmin do të akuzohet më vonë gjatë ditës së mërkurë, megjithëse komisioneri i policisë së NSW-së, Mal Lanyon, sqaroi se kjo varet nga gjendja shëndetësore e tij.
“Është e rëndësishme që ai të jetë në gjendje të kuptojë çfarë po ndodh. Që procesi të jetë i drejtë, duhet të ketë aftësi të mjaftueshme njohëse,” tha Lanyon.
Sipas Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Naveed Akram është akuzuar për 59 vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një për akt terrorist. Ai përballet gjithashtu me 40 akuza për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore me qëllim vrasjeje, si dhe një akuzë për shfaqje publike të një simboli të një organizate terroriste të ndaluar.
Babai i tij, Sajid Akram, 50 vjeç, u qëllua për vdekje.
Ky ishte sulmi me armë më vdekjeprurës në Australi që nga viti 1996.
Dy oficerë policie u plagosën rëndë gjatë sulmit. Policia konfirmoi se njëri prej tyre ka humbur shikimin në njërin sy. Jack Hibbert, 22 vjeç, kishte vetëm katër muaj në shërbim kur u qëllua. Sipas policisë, ai reagoi “me guxim, instinkt dhe vetëmohim, duke vazhduar të mbronte dhe ndihmonte të tjerët edhe pse ishte i plagosur”.
Oficeri i dytë, Scott Dyson, iu nënshtrua një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale këtë mëngjes dhe ndodhet në gjendje kritike, por të qëndrueshme./BBC – Syri.net
© SYRI.net