Autoritetet australiane dhe filipinase kanë konfirmuar se dy autorët e dyshuar të sulmit terrorist në Bondi Beach kishin udhëtuar në Filipine përpara se të kryenin sulmin që tronditi rëndë Australinë dhe komunitetin ndërkombëtar.
Sipas autoriteteve filipinase, babë e bir, Sajid Akram (50 vjeç) dhe djali i tij Naveed Akram (24 vjeç), mbërritën së bashku në Filipine më 1 nëntor 2025. Sajid Akram udhëtoi me pasaportë indiane, ndërsa djali i tij me pasaportë australiane.
CNN raporton se ata kishin deklaruar si destinacion përfundimtar qytetin Davao, në ishullin jugor të Mindanaos, një zonë e njohur për aktivitetin e grupeve militante islamiste. Dyshja u largua nga Filipinet më 28 nëntor, duke fluturuar drejt Manilës dhe më pas për në Sidnej.
Mindanao ka qenë prej vitesh një vatër e kryengritjeve të armatosura dhe në vitin 2017 u bë skenë e një rrethimi të përgjakshëm nga militantë të lidhur me ISIS-in në qytetin Marawi. Autoritetet australiane kanë bërë të ditur se po hetojnë arsyet dhe qëllimin e udhëtimit të dyshuarve, si dhe kontaktet e mundshme të tyre gjatë qëndrimit në Filipine.
Sulmi ndodhi gjatë një aktiviteti të komunitetit hebre për festën e Hanukës në Bondi Beach dhe shkaktoi vdekjen e të paktën 15 personave. Pamje të publikuara nga mediat tregojnë se dy civilë u përpoqën të ndalonin sulmuesin përpara nisjes së sulmit, duke i marrë armën, por më pas u qëlluan për vdekje. Njëri nga autorët u vra në vendngjarje gjatë përplasjes me policinë, ndërsa tjetri ndodhet në spital nën mbikëqyrje të rreptë policore.
Ndërkohë, në Sidnej dhe qytete të tjera australiane, qindra qytetarë kanë vendosur lule, kanë ndezur qirinj dhe kanë mbajtur homazhe në nderim të viktimave. Jashtë Pavijonit të Bondi-t, memoriali i improvizuar është mbushur me buqeta lulesh, mesazhe solidariteti dhe flamuj australianë e izraelitë.
Banorë të prekur nga ngjarja janë parë duke u përqafuar dhe duke u lutur, ndërsa vigjilje përkujtimore janë mbajtur edhe në Londër dhe Nju Jork.
Kryeministri australian Anthony Albanese dhe drejtuesit e policisë kanë deklaruar se sulmi dyshohet të jetë i frymëzuar nga ideologjia e Shtetit Islamik (ISIS), duke theksuar se aktet e dhunës përfaqësojnë ekstremizmin dhe jo fenë. Qeveria e Uellsit të Ri Jugor ka paralajmëruar ashpërsimin e ligjeve për armët e zjarrit, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.
Australia mbetet në zi kombëtare, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë rreth objekteve fetare dhe hapësirave publike.
© SYRI.net