Në një takim të papritur miqësor që surprizoi vëzhguesit politikë, presidenti Donald Trump deklaroi se do të ndihej “plotësisht rehat” të jetonte në New York City nën drejtimin e kryebashkiakut të sapozgjedhur Zohran Mamdani, një socialist demokrat dhe kritik i hershëm i tij. “Po, absolutisht. Sidomos pas takimit tonë,” tha Trump kur u pyet mbi këtë çështje, duke shtuar se ai dhe Mamdani bien dakord për shumë gjëra, pavarësisht dallimeve ideologjike.
Deklarata e presidentit vjen pasi gjatë fushatës Trump ishte shprehur se do të tërhiqte fondet federale nga Nju Jorku në rast të fitores së Mamdanit. Sot, megjithatë, ai nuk u ndal tek këto paralajmërime, duke thënë: “Pres që ta ndihmoj, jo ta lëndoj,” duke sinjalizuar një ton shumë më bashkëpunues.
Gjatë bisedimeve, Mamdani tha se ngriti shqetësimet e banorëve për operacionet e zbatimit federal të imigracionit në qytet, ndërsa Trump theksoi se diskutimi ishte fokusuar kryesisht tek krimi. “Ai nuk dëshiron të shohë krime dhe unë nuk dua të shoh krime,” tha presidenti, duke vënë në dukje se pret marrëdhënie të mira pune me kryebashkiakun e ri.
Momente të veçanta morën edhe komentet e së kaluarës së Mamdanit, i cili e kishte quajtur Trumpin “fashist”. I pyetur nëse qëndron pas kësaj deklarate, Mamdani u përpoq të përgjigjej, por presidenti e ndërpreu me humor: “Thjesht thuaj po, është më e lehtë.” Mamdani, i qetë, tha: “Në rregull, po.”
Ndërkohë, kryebashkiaku i zgjedhur u shpreh i painteresuar ndaj rezolutës së miratuar më herët nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila denonconte “tmerret e socializmit”. Ai tha se fokusi i tij mbetet tek puna konkrete që e pret administratën e tij. “Mund të kemi dallime ideologjike, por vendi ku gjejmë marrëveshje është puna për ta bërë Nju Jorkun të përballueshëm,” theksoi Mamdani.
© SYRI.net