Presidenti Donald Trump doli sot para shtypit nga brenda Zyrës Ovale, me kryebashkiakun e zgjedhur të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, në krah të tij, duke deklaruar se të dy “sa patëm një takim të shkëlqyer” dhe se “e duam këtë qytet tonin”. Trump gjithashtu e uroi Mamdanin për fitoren e tij në zgjedhjet për kryebashkiak të qytetit më të madh të vendit.
Gazetarët u ftuan në Zyrën Ovale për një deklaratë të përbashkët, teksa të dy drejtuesit pritet të japin detaje për temat e diskutimit.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë – një premtim i mbajtur nga Mamdani
Kryebashkiaku i zgjedhur Mamdani, i cili e kishte premtuar qysh gjatë fjalimit të fitores se do të bashkëpunonte me këdo nëse kjo u shërbente njujorkezëve, udhëtoi të premten në Uashington për t’u takuar me Presidentin.
Pavarësisht kritikave të vazhdueshme të Trump ndaj tij, presidenti tha të dielën se dëshiron “që gjithçka të shkojë mirë për Nju Jorkun” dhe se të dy palët po përqendrohen te një prioritet kombëtar: përballueshmëria e jetesës.
Mamdani, i njohur për propozimet e tij progresive si ngrirja e qirave dhe hapja e dyqaneve ushqimore të drejtuara nga qyteti, deklaroi se po i paraqet presidentit “arsyen e njujorkezëve” që përballen me tarifa autobusi prej 2.90 dollarësh dhe me kosto jetese në rritje.
“Do të punoj me këdo për ta bërë jetën më të përballueshme për më shumë se 8.5 milionë njerëzit që e quajnë këtë qytet shtëpi,” tha Mamdani të enjten. “Kam mosmarrëveshje të shumta me presidentin, por është detyrimi im të ndjek çdo takim dhe çdo rrugë që ndihmon qytetin tonë.”
Trump: “Do ta bëjmë Nju Jorkun të fortë”
Shtëpia e Bardhë nuk dha hollësi mbi agjendën zyrtare të presidentit, por Trump i tha Fox News se të dy e duan “të bëjnë Nju Jorkun të fortë” dhe pranoi se kishte qenë “pak i ashpër” me Mamdanin gjatë fushatës. Ai parashikoi se takimi do të ishte “mjaft i qytetëruar”.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e quajti ardhjen e Mamdanit “domethënëse”, duke e paraqitur si dëshmi të gatishmërisë së presidentit për të bashkëpunuar me çdo palë politike.
“Fakti që një komunist – siç e quan ajo Mamdanin – po vjen në Shtëpinë e Bardhë, tregon që Presidenti Trump është i gatshëm të flasë me këdo për të bërë atë që është e drejtë për popullin amerikan,” tha Leavitt.
Mamdani i ka mohuar akuzat se është komunist, duke deklaruar se identifikohet si socialist demokrat.
Pavarësisht dallimeve, bashkëpunim për qytetin
Edhe përfaqësuesja republikane Nicole Malliotakis vlerësoi mundësinë e një dialogu konstruktiv, duke theksuar se “pavarësisht dallimeve të thella, Trump dhe Mamdani janë të dy njujorkezë”, çka sipas saj rrit gjasat për një rezultat pozitiv.
© SYRI.net